Politikani rus i opozitës Alexei Navalny, një kritik i zëshëm i presidentit Vladimir Putin, u raportua se ndërroi jetë në burg.
Lajmi u publikua nga shërbime të burgut, të cilët kanë deklaruar se Navalny është ndjerë keq pas një shëtitje, duke humbur vetëdijen.
Eksperti Ilir Kulla në emisionin “Zonë e Lirë” në “ABC News” foli për vdekjen e opozitarit rus. Ai u shpreh se Navalny njihej si kundërshtari real i Putinit. Sipas tij është e qartë se kush del kundër presidentit rus i pret i njëjti fat.
“Navalny ishte i mbyllur në burg. Kundërshtari real i Putinit ka ndërruar jetë dhe kjo do të thotë se kush i kundërvihet dihet fundi. Pra mesazhi është që askush nuk mund të ngrejë kokë. Tani të shohim se kur do t’i vijë radha.”, ka thënë Kulla, duke shtuar: “Kujtojmë që para Gërdecit ka pasur edhe 7 shpërthime të tjera, përfshirë edhe shpërthimin në Tepelenë. Atje ku bëheshin demontime. E vërteta është që ka pasur shumë kohë për të mos menduar që të mos ndodhte kjo gjë. Por ishte si Navalny ishte e paralajmëruar”.
Por kush ishte Alexei Navalny?
I lindur nga pronarë fabrikash në një fshat në perëndim të Moskës, Alexei Navalny u bë ndoshta kritiku më i madh i Putinit në pushtet. Ishte në gusht të vitit 2020 kur lufta e tij kundër presidentit rus mbushi titujt kryesorë botërorë.
Ai u sëmur gjatë një fluturimi nga Siberia në Moskë dhe ra në koma nga helmimi.
Navalny u trajtua në Gjermani ku qeveria tha se ai ishte helmuar me një agjent nervor kimik nga grupi Novichok. Novichok u përdor në një sulm në mars 2018 ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia Skripal, në qytetin Salisbury.
Navalny u kthye në Rusi në janar 2021 dhe u arrestua menjëherë nga autoritetet.
Një muaj më vonë, një gjykatë në Moskë e dënoi Navalny me më shumë se dy vjet e gjysmë burg për shkelje të kushteve të provës nga një çështje e vitit 2014, ndërsa ai ishte në Gjermani.
Në dhjetorin e kaluar, Navalny u transferua në burgun famëkeq që gjendet në një zonë të largët. Emri zyrtar i burgut është IK-3, por njihet më shumë si “Ujku polak”. Burgu gjendet afër 2.000 kilometra në verilindje të Moskës dhe ka rreth 1.050 të burgosur.
Navalny u dënua me 19 vjet burgim në gusht të vitit 2023 nën akuza për ekstremizëm. Ai kishte deklaruar se akuzat ndaj tij ishin të motivuara politikisht.