Natyra i ka falur gjithçka! Fshati Skuraj në Milot në programin “100 fshatrat”, ende asnjë investim

schedule10:24 - 20 Qershor, 2020

schedule 10:24 - 20 Qershor, 2020

Fshati Skuraj në Milot është pozicionuar mes dy vargmaleve, atij në lindje me emrin Skënderbej dhe në perendim me emrin Krujë-Dajt.

Në verilindje, fshatin e përshkon dhe lumi Mat që shquhet për ngjyrën e veçantë, dhe për ujë të pastër.

Ky fshat është përfshirë në projektin e 100 fshatrave po nisja e investimeve është ende në letër.

Kemi nisur udhëtimin tonë duke kaluar në urën që banorët e kanë emërtuar pasarelë për shkak dhe të gjatësisë së saj.

Ajo ju shërben banorëve për të kaluar nga njëra anë në tjetrën.

U takuam dhe më një grup nga Tirana që po shijojnë ajrin, gjelbërimin, hijet e pemëve.

Një prej tyre është shumë besnik e viziton rregullisht këtë fshat.

“Kam 20 vjet që e preferoj këtë zonë. Më pëlqen relievi, klima, ka restorante të mira. Vendosëm të ikim dhe nga lodhja e Tiranës. Kemi kohë që s’kemi dalë. Klima është shumë e mirë liqenet që janë”, thotë ai.

Të pakta janë investimet që janë bërë nga banorët të cilët kanë ngritur disa lokale.

Në to gjen produkte bio.

Prodhimet që gatuhen janë të zonës. Jo vetëm mishrat, por dhe perimet. Ato ju shërbehen klientëve që vijnë nga të gjitha zonat e Shqipërisë.

Një sipërmarrës tregon se vitet e fundit ky vend është bërë më i njohur dhe ka më shumë tursitë.

Banorët në këtë periudhë fitojnë dhe ca para.

“Shesim produkte mishi dhe djathi. Janë produkt bio. Kemi vështirësi në mal dhe në dimër. Ky fshat ja vlen të jetë pikë turistike por do investime dhe vullnet. Është zonë e varfër dhe ne jemi të vetëpunësuar për të mbijetuar për të mbajtur frymën gjallë”, thotë një prej tyre.

Ndërsa ish-kryeplaku i fshatit ngre një tjetër shqetësim.

Bregu i lumit po shkatërrohet për shkak të marrjes pa kriter të gurëve.

“Kanë prishur imazhin duke prekur lumin. Në kohën e sistemit të Enver Hoxhës ishte një vend i paprekur. Nga inertet që kanë marrë kanë prishur bregun e lumit”, thotë ai.

Teksa udhëtimit po i vjen fundi ish-kryeplaku bën dhe një apel për dikasteret përgjegjëse.

“Të vihet dorë në këtë zonë të mbrekullueshme”, u shpreh ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!