NATO rithekson rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor

schedule22:15 - 5 Dhjetor, 2018

schedule 22:15 - 5 Dhjetor, 2018

Më 4 dhe 5 Dhjetor, Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s u mblodhën në Bruksel, ku diskutuan një sërë çështjesh të rëndësishme për sigurinë e Aleancës. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, solli në vëmendje rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për NATO-n.

Në tryezën e punës së Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s që u mblodhën në Bruksel u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor. Aleatët dhe Përfaqësuesja e lartë e BE ritheksuan rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për të dy organizatat, duke riafirmuar vullnetin për angazhimin dhe bashkëpunimin në ndihmë të vendeve të rajonit, në rrugën e integrimit evropian dhe euroatlantik.

Në këtë kuadër, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati solli në vëmendje rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për NATO-n, bazuar në vlerat e përbashkëta, rëndësinë gjeopolitike të rajonit dhe ndikimin malinj të aktorëve të tretë në Ballkanin Perëndimor.

Duke u ndalur tek Kosova, Ministri Bushati riafirmoi mbështetjen për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të normalizojë plotësisht marrëdhëniet mes dy vendeve, t’i hapë rrugën procesit të pajtimit dhe më tutje afrimit të Kosovës në familjen euro-atlantike. Gjatë zhvillimit të Ministerialit, Ministri Bushati zhvilloi takime bilaterale me homologët nga Hungaria, Norvegjia dhe Greqia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!