Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Kur Volker, ish i dërguari special i SHBA-së në Ukrainë, dhe ish-ambasador në NATO, thotë se Suedia dhe Finlanda do të bëhen pjesë e aleancës brenda tetorit të këtij viti. Në një intervistë, diplomati amerikan shprehet se kjo nuk do të pengohet aspak nga kërcënimet e Putin, pasi ky i fundit nuk mund të përballojë dot një luftë në dy fronte.
Volker thotë se Putin është armiku më i keq vetes, teksa me luftën në Ukrainë, po e shndërron Rusinë në një fuqi të dorës së dytë.
Pra gjithçka është e mbyllur lidhur me këtë çështje?
Po. Është vetëm çështje muajsh. Të dyja vendet e kanë diskutuar për mbi 20 vite këtë anëtarësim, që kur u bënë anëtare të Bashkimit Evropian. Deri në dhjetorin e vitit të kaluar, edhe polakët ishin kundër. Gjithçka ndryshoi brenda natës, dhe merita për këtë duhet t’i njihet vetëm Vladimir Putinit.
Cili do të jetë kalendari?
Ndoshta finlandezët do të paraqesin kërkesën e tyre që në javën e parë të muajit majit. Ndërsa suedezëve mund t’u duhen disa javë më shumë. Por për Finlandën është maji, kam pak dyshime për këtë gjë. Qeverive të NATO-s duhet t’u jepet kohë për të nisur procedurat, për të rregulluar udhëzimet, dhe më pas për të marrë vendimin zyrtar në samitin e qershorit në Madrid.
Dhe pastaj?
Pasi të përfundojë faza e “ftesës”, në 2 javët e para të qershorit do të fillojë faza e ratifikimit. Suedia dhe Finlanda do të duhet të nënshkruajnë dokumentet ligjore dhe protokollin. Pra do të jetë radha e procedurave të brendshme.
Në 1997 Polonia, Çekia dhe Hungaria harxhuan 2 vjet. Sot këto 2 vende do të ecin më shpejt. Deri në fund të shtatorit, maksimumi në fillim të tetorit të këtij viti, Helsinki dhe Stokholmi do t’i kenë ratifikuar këto dokumente.
Moska kërcënon se do të hakmerret…
Rusët do të bëjnë zhurmë si zakonisht, do të protestojnë, por nuk ka gjasa që të shkojnë më tej. Vladimir Putin nuk mund ta përballojë dot një luftë në dy fronte. Ai po e tregon këtë edhe gjatë pushtimit të Ukrainës, ku synon që ta tërheqë NATO-n në konflikt.
Pse këto vende janë kaq të rëndësishme për NATO-n?
Ato janë demokraci evropiane të mirë-konsoliduara, si dhe anëtare të BE-së. Ata kanë forca ushtarake shumë të afta, që mund të vendosen menjëherë në fushën e betejës, dhe që tashmë po marrin pjesë në operacionet e NATO-s.
Për aleancën është një arritje e madhe, ndërsa për ta një garanci sigurie nga agresioni i një vendi me te cilin kufizohen për qindra kilometra, dhe që e shkel vazhdimisht hapësirën e tyre ajrore dhe detare. Pra është një pakt shumë i mirë për të dyja palët.
Qendra e gravitetit të NATO-s zhvendoset në veri. A mund të jetë kjo një problem për Italinë?
Jo, kjo frikë gjykoj se nuk ka baza. Vendet anëtare të jugut, janë gjithmonë të shqetësuara, nëse NATO do të përdorë të gjitha burimet e saj kundër kërcënimit rus. Por hyrja e Suedisë dhe Finlandës në aleancë, nuk do ta ndryshojë busullën strategjike të aleancës.
Për Putinin kjo është një humbje e rëndë…
Po është e tillë. Ai bëri disa gjykime të gabuara. Mendonte se forcat ruse do të depërtonin lehtësisht në Ukrainë, se Kievi do të kapitullonte brenda një jave, dhe se Perëndimi do të qëndronte duarkryq, duke mos bërë asgjë.
Ju çfarë bilanci bëni për këtë luftë?
Analiza ime është shumë e thjeshtë:Putin po humbet në nivelin ushtarak. Por po humbet edhe në aspektin ekonomik. Dhe tashmë ai ka shkatërruar çdo perspektivë të një Rusie në Evropë. Putini dhe Rusia janë tanimë një fuqi e dorës së dytë, dhe ky është një realitet që do të zgjasë për një kohë të gjatë.
A do të reagojë Kina ndaj zgjerimit të ri të NATO-s?
Kina nuk shqetësohet shumë për zgjerimin e NATO-s. Pekini beson me të drejtë, se një NATO e projektuar në Azi, nuk është për momentin një perspektivë e besueshme. Kina është më i shqetësuar për një rend ekonomik global të udhëhequr nga Perëndimi. Kjo është arsyeja pse ajo do ta ndihmojë Rusinë që t’i shmanget sanksioneve, dhe në një mënyrë a tjetrën do t’i kundërvihet këtij dominimi. /abcnews.al