Avionët e Sistemit të Paralajmërimit dhe Kontrollit Ajror (AWACS) mbërritën në bazën ajrore Otopeni, pranë Bukureshtit, pasditen e së martës dhe do të fillojnë misione që pritet të zgjasin disa javë.
Këta avionë që NATO i quan “sytë në qiej” janë zakonisht pjesë e një skuadriljeje prej 14 avionësh që qëndrojnë në Gjermaninë perëndimore.
Radarët e tyre të mëdhenj mund të diktojnë avionë që veprojnë edhe qindra kilometra larg.
“Është një konsolidim i qartë i pranisë ajrore të aleancës në krahun lindor. Këto janë kapacitete tepër të rëndësishme ajrore dhe do të thoja se u shtohen kapaciteteve tashmë të pranishme me forca tokësore dhe ajrore në Rumani. Që nga shkurti 2022, avionët e survejimit AWACS kanë bërë patrullime të rregullta në Evropën Lindore dhe në Balltik”, tha Gjeneral Daniel Petrescu, shefi i shtabit rumun.
Që kur Rusia sulmoi Ukrainën më 24 shkurt, aleanca ka rritur kapacitetet e saj në zonë, duke dërguar ndër të tjera grupe luftimi shumëkombëshe në Rumani, Hungari, Bullgari, dhe Sllovaki.
“Me sistemin e paralajmërimit të hershëm ajror, NATO ka vërtet një kapacitet të zhdërvjellët për survejim të ajrit dhe detit. Ekipi im është i përgatitur mirë dhe do të zhvillojmë së shpejti misione nga Bukureshti për një periudhë të kufizuar kohore. Ky është një kontribut i rëndësishëm për vigjilencën e rritur të NATO-s në krahun lindor të aleancës”, tha komandanti i grupit ajror të NATO-s, E-34.
NATO i përdor rregullisht avionët e Sistemit të Paralajmërimit dhe Kontrollit Ajror (AWACS) për të gjurmuar aktivitetin e avionëve rusë pranë kufijve të NATO-s./VOA