NATO bashkohet me SHBA, akuzon zyrtarisht Rusinë

schedule18:13 - 5 Dhjetor, 2018

schedule 18:13 - 5 Dhjetor, 2018

NATO është bashkuar me Shtetet e Bashkuara në akuzat e ngritura kundër Rusisë se ka shkelur traktatin e vitit 1987 për armët bërthamore. Aleanca ka akuzuar Kremlinin se ka prodhuar një sistem të ri raketash që përbën rrezik të menjëhershëm për vendet e saj anëtare.

Aleanca e Atlantikut të Veriut ka akuzuar zyrtarisht Rusinë se ka shkelur traktatin e vitit 1987 për armët bërthamore. Pas një takimi të mbajtur të martën, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s dolën me një deklaratë të përbashkët ku mbështesnin akuzat e Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë.

Uashingtoni ka kërcënuar Moskën se do të tërhiqet nga traktati i nënshkruar nga presidentët Regan dhe Gorbaçov për shkak të veprimeve të Kremlinit. Traktati ndalon vendosjen e raketave bërthamore me rreze të mesme veprimi të qëlluara nga toka në një distancë që varion nga 500 në 5.500 kilometra.

“Aleatët kanë arritur në përfundimin se Rusia ka zhvilluar sistemin raketor “9 M 729”, që përbën shkelje të traktatit dhe një rrezik të madh për sigurinë Euro-Atlantike”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Duke shprehur mbështetje të fuqishme për konstatimet e Shteteve të Bashkuara, ministrat i bënë thirrje Moskës që të ndryshojë menjëherë kurs. Raketat e reja me rreze të mesme veprimi për të cilat Amerika dhe tani edhe NATO akuzojnë Rusinë, i mundësojnë kësaj të fundit të kryejë një sulm bërthamor ndaj çdo vendi anëtar të Aleancës në një kohë shumë të shkurtër. Rusia nuk ka bërë shumë komente lidhur me këtë çështje, përveç se ka mohuar devijimin nga detyrimet e saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!