Rreziku është i madh, por edhe prestigji. Shqipëria mund të jetë në grup me Anglinë në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve, shorti i së cilës hidhet sot në Paris. Ceremonia e UEFA-s në kryeqytetin e Francës do të nisë në orën 18:00, dhe kombëtarja ndodhet në Ligën B, ay ku ka zbritur edhe skuadra e “Tre Luanëve”.
Me Anglinë në vazon e parë të kësaj lige, dhe me “Kuqezinjtë” në të tretën, shanset matematikore janë 25 për qind. Në vazon e parë janë edhe Austria, Uellsi dhe rivali ynë i eliminatoreve të Evropianit, Çekia. Në tërësi, Liga B ka skuadra serioze si Finlanda, Ukraina, Norvegjia, Islanda, Turqia apo Greqia, që gjithashtu mund të jenë rivalët tanë.
Shqipëria ka luajtur më parë në Nations League me kundërshtarë si Kazakistani. Sipas kalendarit, kombëtarja do të luajë dy ndeshje në shtator, dy në tetor dhe dy në nëntor të këtij viti.
Dy ekipet e para të çdo grupi kualifikohen për në çerekfinalet e marsit 2025, dhe fituesi shkon në finalet në qershor të atij viti, ku do të përcaktohet edhe se kush do të marrë trofeun e Nations League.
Fituesit e grupeve në Ligat B e C ngjiten një nivel më lart, ndërsa vendet e fundit në Ligat A e B zbresin një kategori më poshtë. Së fundi, do të ketë “play-off”, mes dy vendeve të katërta më të mira në Ligën C dhe dy vendeve të dyta në Ligën D, dhe fituesit e këtyre sfidave shkojnë direkt në finalet e Kupës së Botës 2026.
Fituese në fuqi e Ligës së Kombeve është Spanja e cila mundi në finale Kroacinë, pas penalltive, ndërsa koha e rregullt bashkë me shtesat përfundoi pa gola. Shqipëria edicionin e kaluar ishte gjithashtu në Ligën B, ku doli e fundit në renditje pas Izraelit dhe Islandës, por nuk zbriti në C, pasi nga grupi ynë u përjashtua Rusia pas nisjes së luftës në Ukrainë. /i.m /abcnews.al