Nations League/ Alarm te Kombëtarja, dy titullarët “kuqezi”në dyshim për sfidat e nëntorit

schedule17:36 - 2 Nëntor, 2024

schedule 17:36 - 2 Nëntor, 2024

Pritej të ishin të dy titullarë në sfidën ndaj Çekisë, mirëpo duket se gjërat mund të ndryshojnë.

Pas mungesave në sfidat e tetorit, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rei Manaj rrezikon të mungojë edhe në përballjet e radhës ndaj Çekisë dhe Ukrainës, kësaj here për shkak të një dëmtimi muskular.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi turk, Sivasspor, të cilët sqarojnë me anë të një postimi në rrjetin social “X”, mungesën e “bomberit” nga Lushnja, në sfidën e kësaj të shtune, të fituar 2-1, ndaj Rizespor, të vlefshme për javën e 11-të të kampionatit turk të futbollit.

“Gjatë kontrolleve të kryera ndaj lojtarit tonë Rei Manaj, i cili mbeti i dëmtuar në pjesën e fundit të ndeshjes që luajtëm jashtë vendit me Adana Demirspor në javën e 10-të të Superligës Trendyol, u konstatua një dëmtim në muskulin e tij”,- thuhet në deklaratën e bërë nga klubi.

Megjithatë, Manaj nuk është i vetmi që rrezikon.

“Ylli” tjetër është Kristjan Asllani me “dirigjentin” e mesfushës “kuqezi”, i cili është në garë me kohën për të qenë i gatshëm për ndeshjet e nëntorit me Kombëtaren shqiptare të futbollit, telash ky goxha i madh për teknikun Sylvinho.

Mesfushori ka pësuar një dëmtim në grumbullimin e kaluar por gjithsesi luajti të dy sfidat, e për më tepër arriti që edhe të shënontë ndaj Gjeorgjisë golin e fitores, mirëpo, pas kthimit në Itali te Interi, ai pësoi një tjetër goditje në stërvitje dhe për disa javë me radhë ka qenë në kontrollin e mjekëve.

Sipas raportimeve më të fundit të mediave italiane, stafi mjekësor i Inter, me rikthimin e Calhanoglu, do të përpiqet që të rikuperojë pak më me ngadalë lojtarin shqiptar, për të mos sforcuar atë, duke shmangur ndonjë përkeqësim të mundshëm, meqë futbollisti është detyruar të stërvitet me gjurin e fashuar gjithë këto ditë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!