“National Geographic”, rendit arsyet pse bregdeti i Jonit është vendi perfekt për një udhëtim me makinë.
“Nga qyteti i Vlorës deri në Ksamil, Riviera Shqiptare është shpallur si “Maldivet e Europës”. Ka plazhe me rërë të bardhë të panumërta që zbukurojnë një vijë bregdetare me ujëra magjepsëse blu, nga ato të mbushura me resorte moderne deri te gjiret e fshehta të qeta. Por Riviera nuk është vetëm detin, ka fshatra tradicionale të shtrirë në kodra të mbuluara me ullinj shekullorë dhe rrënoja antike përkrah mbetjeve të së kaluarës komuniste të vendit’, shkruhet në artikull.
“National Geographic” sqaron më tej se për të mbërritur në Shqipëri është e thjeshtë, pasi ka një gamë të gjerë fluturimesh direkte me aeroportin ndërkombëtar të Tiranës dhe më pas nga aty udhëtimi me makinë për në Vlorë zgjat jo më shumë se dy orë.
“Më pas mund të niseni në jug përgjatë rrugës bregdetare SH8, ndërsa përgjatë gjithë rrugës të shoqëron gjithnjë deti Jon”, shkruhet në artikull, ndërsa më tej renditen edhe pikat më të njohura turistike përgjatë rivierës tek të cilat vizitorët duhet të ndalojnë për t’i eksploruar.
Revista përmend ndër të tjera Parkun Kombëtar të Llogarasë, ku ngjitja prej gjysmë ore kalon përmes pyjeve me pisha dhe përfundon në një pamje fantastike të Jonit.
Më tej artikulli vazhdon me rrugën përgjatë fshatrave turistikë të Bregut, ndërsa tërheq vëmendjen për Porto Palermon dhe kalanë e Ali Pashës Tepelenës, një nga atraksionet e jugut.
Reportazhi i revistës prestigjioze nuk ndalet vetëm në vijë n bregdetare. Sipas “National Geographic” duke udhëtuar me makinë në jug të Shqipërisë, mund të zbuloni zona me histori të lashtë të këtyre trevave siç është Butrintin.
“Grekët e lashtë, romakët, bizantinët dhe venedikasit kanë ndërtuar mbi njëri-tjetrin, duke lënë pas një përzierje stilesh dhe kulturash”, përfundon artikulli i “National Geographic”.