Bilanci i viktimave nga sulmet izraelite në Liban ka arritur në të paktën 3,433 të vrarë dhe 10,395 të plagosur që prej 2 marsit, sipas të dhënave më të fundit të publikuara sot nga Ministria e Shëndetësisë e Libanit.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar të paktën 21 viktima, bëri të ditur ministria.
Autoritetet shëndetësore libaneze nuk specifikojnë në statistikat e tyre nëse viktimat janë civilë apo luftëtarë. Megjithatë, sipas një përditësimi të publikuar të shtunën, mes të vrarëve numërohen të paktën 240 fëmijë, 326 gra dhe 127 punonjës të sektorit shëndetësor.
Ndërkohë, armëpushimi i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara mes Izraelit dhe Libanit hyri në fuqi në mesnatën e 17 prillit. Në atë kohë, numri i përgjithshëm i viktimave nga sulmet izraelite që nga 2 marsi ishte 2 mijë e 294 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit.
Shifrat tregojnë se pas hyrjes në fuqi të armëpushimit janë vrarë më shumë se 1,100 persona të tjerë.
Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë vijuar sulmet ndaj objektivave që i konsiderojnë të lidhura me Hezbollahun në territorin libanez. Nga ana tjetër, grupi militant shiit libanez ka deklaruar se sulmet e tij ndaj forcave izraelite janë përgjigje ndaj operacioneve të vazhdueshme të IDF-së.


