Sulmet me raketa të ndërmarra nga Irani ndaj Izraelit qendror dhe Jerusalemit kanë shkaktuar 10 viktima dhe kanë lënë të plagosur më shumë se 200 persona, sipas raportimeve nga mediat izraelite.
Në rajonin qendror të Izraelit, një sulm me raketa mori jetën e katër personave, mes tyre një djalë 10-vjeçar, ndërsa rreth 100 të tjerë u lënduan, njoftoi Magen David Adom, shërbimi izraelit i urgjencës, i barasvlershëm me Kryqin e Kuq.
Ndërkohë, në rajonin e Shfelas u raportuan edhe 37 persona të plagosur. Policia izraelite njoftoi përmes një postimi në platformën X se një tjetër sulm në zonën bregdetare qendrore, në distriktin e Tel Avivit, shkaktoi disa viktima dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Në një incident të mëparshëm në Galilenë Perëndimore, ku një ndërtesë trekatëshe u shemb nga goditjet, MDA konfirmoi vdekjen e tre grave.
“Dy gra u nxorën nga rrënojat pa shenja jete dhe u shpallën të vdekura në vend,” njoftoi shërbimi i emergjencës. E treta humbi jetën në spital.
Një tjetër sulm raketor nga Irani goditi një shtëpi në rajonin e Haifës, duke vrarë një grua dhe duke lënë të plagosur edhe 14 persona të tjerë./abcnews.al