Samir Nasri nuk e ka harruar akoma faktin që Didier Deschamps nuk e grumbulloi me Francën në Botërorin e vitit 2014 në Brazil. Trajneri udhëhoqi “gjelat” drejt majës së botës në verën e vitit 2018, duke sjellë Kupën e Botës në Paris për herë të dytë në histori.
Gjithsesi, kjo nuk mjafton për mesfushorin. 32-vjeçari ka kritikuar Deschamps në një lidhje direkte në Instagram. Nasri fton drejtuesit e Federatës të zgjedhin Pep Guardiolën trajner dhe e mbyll me një koment për dyshen Benzema-Ben Arfa.
“Jam i lumtur për fitimin e Kupës së Botës në vitin 2018, por në skuadër kishte shumë çarje. Mund të ndërtohen tre skuadra të nivelit të lartë me futbollistët që ka Franca. Ta provojnë të vendosin Pep Guardiolën trajner dhe do e shihni si do luajë kombëtarja. Të gjithë futbollistët do të argëtoheshin.
Benzema? Nuk e kuptoj si e lanë jashtë për Euro 2016 dhe Botërorin e 2018. Nuk arrij ende të kuptoj as sesi nuk u grumbullua Ben Arfa në Euro 2016 pas sezonit që kishte zhvilluar me Nice”, deklaron Samir Nasri. /abcnews.al