Nasim Haradinaj paraqitet sot në seancën e parë në Gjykatën Speciale

schedule08:09 - 29 Shtator, 2020

schedule 08:09 - 29 Shtator, 2020

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së Nasim Haradinaj, ditën e sotme do të paraqitet para gjykatës së Dhomave të Specializuara, në Hagë.

Haradinaj u arrestua më 25 shtator në një lagje të Prishtinës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, nën dyshimet se ka penguar drejtësisë.

“Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”, njofton Dhoma e Specializuar.

Më 25 shtator është arrestuar edhe kreu i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, i cili dyshohet po ashtu për pengim të drejtësisë.

Ai u arrestua në zyrën e kësaj organizate, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu një aksion bastisjeje që zgjat më shumë se tetë orë.

Arrestimi i Haradinajt dhe Gucatit ndodhi pasi kjo organizatë të cilën ata e udhëheqin, tri herë radhazi mbajti konferenca për media ku shpërndanë materiale që pretendohet se janë dokumente konfidenciale të Gjykatës Speciale.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë selinë në Hagë dhe merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./abcnews.al/