Në seanca gjyqësore në Gjykatën Speciale, nënkryetari i OVL e UÇK-së, Nasim Haradinaj tha se për fajësinë apo pafajësinë e tij do të deklarohet përmes avokatit.
Seanca e radhës pritet të mbahet më 7 ose 8 janar të vitit 2021. Ai dhe kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, akuzohen për pengim, kërcënim, hakmarrje dhe zbulim të dosjeve të Prokurorisë.
Gjithashtu gjatë seancës gjyqësore Haradinaj, deklaroi se ka firmosur aktakuzën, por duke mos e lexuar atë.
“Kam nënshkruar një dokument që e kam parë që është aktakuzë, por të them të drejtën as që e kam lexuar”, tha Haradinaj.
Gjatë fjalës së tij, Haradinaj u shpreh i revoltuar se do të komunikojë vetëm nëpërmjet avokatit të tij, duke mos pranuar të flasë.
“Zoti Gjykatës dua të them se për mua dhe këdo nuk ka si kuptohet ndryshe, se kjo prokurori do ta heqë vëmendjen e opinionit nga vetja dhe të kërkojë fajin diku tjetër, pra në Kosovë duke synuar ta nxjerrë Kosovë dhe qytetarët e saj si fajtorët kryesor.
Ne pse duhet të përgjigjemi pse i kemi sekretet e tyre. Aty nuk ishin as një fletë as dy fletë, OVL nuk ka pas qasje dhe nuk do të ketë dhe as qe mund të fajësohet për nxjerrjen e këtyre dokumenteve, në vendin tim duhet të ishin kolegët e kësaj prokurorie apo edhe ndonjëri nga vetë këta”, tha Haradinaj.
/abcnews.al/