Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka me anë të një postimi në Facebook ka hedhur akuza ndaj Policisë së Shtetit dhe Avokatit të Shtetit se kanë hyrë në zyrat e partive PDK, PR dhe PBDNJ duke sekuestruar zyrat dhe marrë peng të gjithë dokumentet e partive.
Ndoka shkruan se lidhur me këtë ngjarje, ka informuar Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama si dhe institucionet ndërkombëtare në vend.
Postimi i Nard Ndokës në FB:
Pushtet arrogant, Avokati i Shtetit dhe Policia e Shtetit, dhunojnë selitë e tre Partive Opozitare (PDK, PR e PBDNJ). Pushteti pasi dështoi me pengun Basha në Opozitë, i është vërsulur partive të tjera politike. Mbas sulmit të zyrave të FRD, në shënjestër tashmë Partia Demokristiane e Shqipërisë, PDK, Partia Republikane dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.
Avokati i Shtetit në mënyrë arbitrare sekuestron zyrat dhe merr peng të gjithë dokumentat e dy partive politike PDK e PR, ndërsa Policia e Shtetit nxjerr në rrugë PBDNJ. Kemi informuar zyrtarisht Presidentin e Shqipërisë, Kryeministrin e Shqipërisë (megjithëse ky është urdhëruesi i plaçkitjes), institucionet ndërkombëtare në vend, OSBE, BE e SHBA-të. Dhunimi barbar i zyrave të tre partive politike, pengmarrja e dokumentacionit dhe arkivave, shenja të një pushteti arrogant e kriminal, që kërkon asgjësimin e pluralizmit politik. Partia Demoktistiane e Shqipërisë, PDK Zyra e Shtypit. Tiranë, më 11 Qershor 2022.
/abcnews.al