Napoli mund Juventusin në Torino dhe rihap garën për titull në Serinë A

schedule08:19 - 23 Prill, 2018

schedule 08:19 - 23 Prill, 2018

Napoli arriti një fitore të madhe në Serinë A të Italisë, duke mposhtur Juventusin brenda në Torino e duke rihapur garën për titullin kampion. Skuadra napolitane e arriti suksesin vetëm në minutën e fundit duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes, por e meritoi plotësisht pasi luajti më mirë sesa vendasit.

Formacioni I trajnerit Sarri pati epërsi duke qenë vazhdimisht në sulm, e duke e mbyllur kundërshtarin në gjysmëfushën e tij. Me këtë fitore, Napoli u ngjit në kuotën e 84 pikëve, duke qenë vetëm 1 pikë larg Juventusit që kryeson renditjen.

Tashmë, duhen edhe 4 javë deri në përfundim të kampionatit, dhe napolitanët kanë shumë shpresa të fitojnë titullin e parë që nga koha e Maradonës. Kjo, sepse Juventusi do të duhet të luajë disa ndeshje të vështira, në fushën e Interit dhe të Romës.

Juventusi ka dalë 6 herë kampion radhazi, ndërsa Napoli e ka fituar titullin për herë të fundit në vitin 1990. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!