Pas 4 sezoneve fantastike me “blutë” e Napoli, “aventurë” të cilën e kulmoi këtë sezon me fitimin e titullit kampion, duket se anësori meksikan i “jugorëve” të Italisë, Hirving Lozano do t’i japë shumë shpejt “divorcin” bluve.
Sipas raportimeve të prestigjiozes italiane, klubi duket se e pret një largim të meksikanit dhe tashmë ka nisur punën për gjetjen e zëvendësuesit të tij, teksa në “shënjestër” është vendosur anësori nga Kosova i Lille, Edon Zhegrova.
“Dardani” 24-vjeçar ka bindur në sezonin e tij të dytë te Lille, teksa në 21 përballjet e Ligue 1 ka shënuar 3 gola e ka dhuruar 4 herë pasimet decisive për shokët e tij të skuadrës. Përveç performancave Presidenti i Napoli, Aurelio de Laurentiis “tërhiqet” dhe nga çmimi i lojtarit, vetëm 10 milionë euro e duke llogaritur këtu “miqësinë” me francezët e Lille, çmimi ka gjasa të reduktohet. /i.m /abcnews.al