Napoli ëndërron titullin pas fitores me Lacion, shkëlqen Hysaj

schedule17:07 - 11 Shkurt, 2018

schedule 17:07 - 11 Shkurt, 2018

Napoli vazhdon të mbajë kreun e Serisë A, pavarësisht presionit të madh të Juventusit. Skuadra e trajnerit Sarri ka mundësi të fitojë titullin, ndihmuar edhe nga kontributi i madh i Elseid Hysajt.

Fundi ishte e mrekullueshme në “San Paolo”.

Edhe pse pjesa e parë ndaj Lacios i bëri me zemër dhjetëra mijë tifozë, sërish Napoli ia doli dhe u rikthye me forcë në krye të renditjes së Serisë A.
Aspak gjë e vogël një sukses 4-1 ndaj një skuadre kaq të fortë si ajo laciale, sidomos e jashtëzakonshme ishte loja në 45 minutat e dyta.
Nën drejtimin e trajnerit Mauricio Sarri pritet të realizohet ëndrra, të fitohet kampionati, siç bëri Napoli i Diego Armando Maradonës në 1987 e 1990, dy titujt e vetëm në historinë e klubit.
Sarri tregon se çfarë është gati të japë për t’ia dalë.

Maurizio Sarri: “Nëse më kërkoni një çek me 5 milionë euro nuk mund t’ua jap sepse nuk i kam. Unë mund të jap vetëm atë që kam. Njerëzve tanë, napolitanëve që i kam në zemër, mund t’u jap vetëm shpirtin tim, sepse unë jam shpirtin për këtë skuadër, punoj me gjithë zemër. Nuk di nëse kjo do të mjaftojë apo jo, por vetëm këtë mund të jap”.

Në mes yjeve të tillë si Kajehon, Insinje apo Mertens, në fushë ishte edhe Elseid Hysaj, që gjithashtu ra shumë në sy.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, që besohet se kërkohet deri edhe nga Reali i Madridit, ishte i papërmbajtshëm nga krahu i djathtë, duke dalë vazhdimisht në sulm.

Merita e shkodranit ishte e padiskutueshme, dhe fytyra e tij u shfaq vazhdimisht në kamera për ta parë e gjithë bota.
I pafajshëm Tomas Strakosha në krahun e Lacios, me portierin shqiptar që nuk gaboi asgjë ndonëse pësoi 4 gola.
A mund t’ia dalë ky Napoli në një rivalitet të ashpër me superfuqinë e Italisë, Juventusin?
Trajneri Sarri ka besim.

Maurizio Sarri: “Mendoj se në pjesën e dytë kemi luajtur më shumë me tru, në krahasim me pjesën e parë, ku luftuam më shumë fizikisht, gjë që ishte më shumë në favor të tyre. Pas pushimit u mbështetëm më shumë tek teknika dhe shpejtësia, ku mund të kishim diçka më shumë se Lacio. Djemtë u treguan shumë të zotë. Nëse luajmë vazhdimisht si në pjesën e parë, mund të mundim këdo”.

Napoli kryeson me 63 pikë ndaj 62 të Juventusit, kur duhen edhe 14 ndeshje deri në mbyllje të sezonit.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, nuk do të jetë aspak çudi që Maradona të kthehet sërish në Napoli për të takuar skuadrën, tashmë si kampione./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!