Nancy Pelosi shpreh mbështetjen për Kamala Harris: Politikane e zgjuar, do na çojë drejt fitores

schedule19:48 - 22 Korrik, 2024

schedule 19:48 - 22 Korrik, 2024

Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka shprehur mbështetjen e saj për nënpresidenten Kamala Harris, e cila mund të jetë kandidatja zyrtare e demokratëve në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Përmes një deklarate, Pelosi tha se Harris është një politikane e zgjuar që mund t’i çojë demokratët drejt fitores në zgjedhjet në nëntor, shkruan CNN.

“Sot, me krenari të pamasë dhe optimizëm të pakufishëm për të ardhmen e vendit tonë, unë mbështes zëvendëspresidenten Kamala Harris për Presidente të Shteteve të Bashkuara. Mbështetja ime entuziaste për Kamala Harris është zyrtare, personale dhe politike. Kam parë forcën dhe guximin e Kamala Harris si një kampione për familjet që punojnë, veçanërisht duke luftuar për të drejtën e një gruaje për të zgjedhur. Personalisht, unë e kam njohur Kamala Harris për dekada të tëra, ka besim dhe përkushtim ndaj shërbimit publik. Politikisht, mos bëni gabim: Kamala Harris si një grua në politikë është jashtëzakonisht e zgjuar – dhe kam besim të plotë se ajo do të na çojë drejt fitores në nëntor”, thuhej në deklaratën e Pelosi.

Një numër i madh ligjvënësish demokratë, guvernatorësh dhe dhuruesish financiarë kanë shprehur mbështetjen e tyre që Harris të jetë kandidatja presidenciale e partisë në zgjedhjet e nëntorit, pasi presidenti Joe Biden shpalli të dielën vendimin për t’u tërhequr nga gara.

Biden, pak pas njoftimit të befasishëm të dielën, i shprehu mbështetjen Harris si kandidate të partisë për t’u përballur me ish presidentin Donald Trump, kandidatin e Partisë Republikane./abcnews.al