Julian Nagelsmann do të jetë trajneri i ri i Bayern Munchen. 33-vjeçari do të zëvendësojë Hansi Flick (do të marrë drejtimin e Gjermanisë) në fund të sezonit. Mediat raportuan se klubi bavarez ka paguar 25 milion euro te Leipzig.
Kjo është shuma që është vendosur në klauzolën e largimit të parakohshëm të trajnerit të talentuar, por Herbert Hainer, presidenti i Bayernit, nuk e konfirmon një gjë të tillë në deklaratën e bërë për Abendzeitung.
“Na duhej të gjenim një marrëveshje me Leipzig, pasi Nagelsmann ndodhej nën kontratë me ta. 25 milion euro klauzolë? Mos besoni çdo shifër që qarkullon në media. Bayerni është një nga skuadrat më të mira në Evropë.
Sigurisht që kemi nevojë për një trajner të nivelit të lartë dhe ia kemi dalë të realizojmë këtë objektiv me marrjen e Nagelsmann“, deklaroi kreu i rekordmenëve të futbollit gjerman. /abcnews.al