Nagavci për dhunën ndaj 3-vjeçarit: Do të ndërmarrim të gjitha masat ligjore

schedule14:11 - 19 Shtator, 2023

schedule 14:11 - 19 Shtator, 2023

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci deklaroi se do të ndërmarrin të gjitha masat që përcakton ligji për rastin e dhunës ndaj 3-vjeçarit në një çerdhe në Fushë Kosovë. Sipas saj, është shqetësuese se si punonjëset e këtij institucioni nuk kanë reaguar, pavarësisht se rasti nuk ka qenë i izoluar. Nagavci u zotua se janë në proces të rekrutimit të 20 inspektorëve, për çka shtoi se situata nuk mund të rregullohet vetëm me punësimin e tyre.

Pas prezantimit të Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, Nagavci tha se do të ndërmerren të gjitha masat që i përcakton ligji, në mënyrë siç theksoi ajo, që të mos cenohet integriteti dhe personaliteti i fëmijëve.

Më tej, Nagavci theksoi se të gjithë duhet të jenë të zëshëm në parandalimin e këtyre rasteve. Sipas saj, do të merren të gjitha masat në kohë rekorde nga Ministria e Arsimit.

Tutje, ajo foli edhe për furnizimin me libra, për çka tha se tashmë për mbi 170 mijë aplikues janë realizuar pagesat për tekstet shkollore.

Para gazetarëve, Nagavci mohoi se ka mungesë të librave për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, ku shtoi se nuk ka rritje të theksuar të numrit të nxënësve.

Policia e Kosovës dhe Inspektorati i Arsimit kanë shkuar sot në institucionin parashkollor “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë, ku po dyshohet se edukatorët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije 3-vjeçar. /KosovaPress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!