Naftëtarët në grevë, thellohet konflikti mes “Bankers Petroleum” dhe Rafinerisë: Autoriteti i Konkurrencës hesht

schedule16:09 - 21 Shkurt, 2020

schedule 16:09 - 21 Shkurt, 2020

Greva e naftëtarëve të Ballshit ka rikthyer problematikën me pagesat dhe shfrytëzimin pa kriter të resurseve të nëntokës shqiptare. Punonjësit e rafinerisë në pronësi të “Tosk Energy” kërkojnë dhënien e pagave të prapambetura si edhe vijimin e punës duke bërë që të mos hidhen në rrugë pa asnjë mbështetje financiare.

Krizën tek rafineria nuk e mohon as administratori i “Tosk Energy” Blerim Hoxha reagoi dje përmes një letre duke akuzuar kompaninë “Bankers Petroleum” dhe Autoritetin e Konkurrencës për problemet tek rafineria e Ballshit.

Lexo edhe: EKSKLUZIVE / Naftëtarët në grevë, administratori: “Bankers” s’na jep naftë, “Konkurrenca” hesht përballë shkeljes

Sipas tij, “Bankers Petroleum” nuk po e furnizonte rafinerinë me sasinë e naftës së kërkuar, gjë e cila bëntë që të mos mundej të funksiononte. Hoxha akuzoi edhe Autoritetin e Konkurrencës duke theksuar se nuk kishte ndërhyrë për të shmangur kolapsin e rafinerisë.

Mirëpo, sot ka reaguar kompania “Bankers Petroleum” duke paditur kompaninë “Tosk Energy”, ndërkohë që i përgjigjet akuzave të Blerim Hoxhës.

Sipas “Bankers Petroleum” është “Tosk Energy” që nuk i është përmbajtur detyrimeve kontraktuale dhe jo e kundërta.

“Ne i qëndrojmë fort deklaratave tona të mëparshme të cilat bazohen në fakte të vërteta dhe kjo është arsyeja pse ne kemi qenë gjithmonë bashkëpunues me çdo hetim në lidhje me veprimtarinë tonë, përfshirë edhe atë nga Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës”, shprehet kompania.

Kriza mes “Tosk Energy” dhe “Bankers Petroleum” zhvillohet prej disa kohësh, por edhe pse i është kërkuar të ndërhyjë Autoriteti i Konkurrencës nuk ka bërë asgjë duke lënë në mëshirë të fatit qindra naftëtarë, një pjesë e të cilëve tani rrezikojnë jetën në një grevë urie. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!