Naftëtarët e Ballshit në ditën e tretë të grevës, shfaqin probleme shëndetësore: Duam zgjidhje!

schedule09:18 - 30 Shtator, 2020

schedule 09:18 - 30 Shtator, 2020

Naftëtarët e Ballshit vijojnë sot në ditën e tretë të grevës së urisë, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar. Njëri prej tyre është detyruar ta lërë në mes atë për t’u zëvendësuar nga një koleg.

Burimet thanë se në ambientet e jashtme të godinës ku po zhvillohet greva e urisë nuk ka një ambulancë për të qëndruar në gatishmëri të naftëtareve.

Gazetarja Valbona Davidhi raporton se ndonëse kanë kaluar tre ditë nuk ka pasur asnjë reagim nga autoritetet përkatëse.

“Vuaj nga diabeti. Ne do vazhdojmë, pa u plotësuar kauza jonë ne këtu jemi. Do sakrifikojmë”, u shpreh një prej tyre, në një lidhje direkte për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”.

Pjesë e grevistëve është edhe kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj. Ky i fundit i bëri edhe njëherë apel për t’i dhënë zgjidhje problemit të tyre, pasi prej muajsh naftëtarët nuk kanë marrë pagat.

“Problemi jonë është më që të na japin zgjidhje. Unë do të përdor një thënie të kryeministrit, kur ra pandemia, u është drejtuar pronarëve të shesin vilat dhe të paguajnë punëtorët. Ne kemi një vit pa pronar. Ndaj i jemi drejtuar shtetit. Le të vijë pronari dhe pastaj të tregojë detyrimet. A kemi familje ne?”, u shpreh ai.

Kjo është greva e dytë e naftëtarëve të Ballshit. Ata kërkojnë rinisjen e punës dhe pagat që nuk kanë marrë prej muajsh. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!