Na riktheni botën e lirë

schedule11:29 - 27 Janar, 2022

schedule 11:29 - 27 Janar, 2022

Nga Bret Stephens “New York Times

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Në një moment gjatë 30 viteve të fundit, koncepti i “botës së lirë” doli jashtë mode.

Ndoshta kjo nisi të ndodhte që sapo mbaroi Lufta e Ftohtë. Ose lindi një mendim i mëvonshëm në një epokë në të cilën zhvillimi ekonomik, dhe jo liria politike, u bë parametri kryesor i matjes së përparimit të njerëzimit.

Ose ai ishte fryt i shumë njerëzve të vetëkënaqur, në një kulturë amerikane të fiksuar gjithnjë e më shumë pas mëkateve të veta, aktuale dhe origjinale. Ose nga njerëzit në vendet ku normat demokratike dhe parimet liberale po gërryheshin nga brenda, nga Hungaria në Indi, dhe deri në Shtetet e Bashkuara.

Por ne kemi urgjentisht nevojë që ta rikthejmë konceptin në vendin e tij të dikurshëm, si për fuqinë e tij sqaruese, ashtu edhe për forcën e tij morale. Perspektiva e një pushtimi rus

të Ukrainës, po trajtohet nga avokatët e shumtë publikë të Vladimir Putinit, si një rast i rikonfirmimit të sferës historike të ndikimit të Rusisë, apo si një nxitje e parashikueshme kundër zgjerimit të NATO-s drejt lindjes.

Pra si një episod tjetër në lojën e politikës së fuqive të mëdha. Sipas kësaj logjike, synimet e Kremlinit janë të kufizuara, dhe kërkesat e tij të negociueshme. Është një logjikë joshëse, që nënkupton që diplomacia mund të funksionojë:Jepini Putinit diçka që ai dëshiron, thuajini që Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO, ose largoni forcat e NATO-s nga ish-shtetet e Traktatit të Varshavës, dhe ai do të jetë i kënaqur.

Por kjo logjikë injoron dy faktorë:nevojat personale politike të Putinit, dhe synimet e tij të mëdha ideologjike. Putini nuk është as një Car, dhe as një president i vërtetë, në kuptimin që të qeverisë sipas rregullave fikse, që e legjitimojnë, por dhe e kufizojnë atë.

Ai është një diktator, i akuzuar shumë herë për sjellje korruptive dhe kriminale, dhe që nuk ka garanci për një largim të sigurt nga pushteti. Prandaj i duhet që të sajojë lloj-lloj mënyrash për të zgjatur sundimin e tij përgjithmonë.

Provokimi i krizave periodike në vende të tjera për të mobilizuar mbështetjen e brendshme, si dhe për të tërhequr vëmendjen globale, është një mënyrë e testuar me kohë nga diktatorët. Pra, sido që të zgjidhet kriza ukrainase, do të ketë me siguri kriza të tjera të krijuara sërish nga Putin.

Edhe sjellja e tij “paqësore” në këto momente, vetëm sa do të inkurajonte për operacionet e mëvonshme. Faktori i dytë rrjedh nga i pari. Mënyra përfundimtare për të konsoliduar diktaturën në Rusi, është diskreditimi i demokracisë, për ta bërë atë të duket e përçarë, e lodhur dhe e korruptuar.

Ekzistojnë shumë mënyra për ta bërë këtë, dhe Putini praktikon shumë prej tyre, nga mbështetja e partive dhe politikanëve ekstremistë, tek sponsorizimi i sulmeve kibernetike, dhe përhapja e teorive konspirative në mediat sociale.

Metoda më efektive është një lojë e hapur e fuqive të mëdha, që nxjerr në pah hendekun midis retorikës së fortë të Perëndimit për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar, dhe përllogaritjet e tij meskine mbi avantazhin tregtar, shpenzimet ushtarake, varësinë energjetike, dhe rreziqet strategjike.

Sulmi ndaj Ukrainës do të ketë kosto për Putinin, por ato do të kompensohen më shumë nëse ai mund t’i japë Perëndimin një ndjenjë të forë të dobësisë së vet. Suksesi i dhunuesit, varet në fund nga dorëzimi psikologjik i viktimës së tij.

Reagimi më i mirë afatshkurtër ndaj kërcënimeve të Putinit, është ajo që po fillon të marrë më në fund në konsideratë administrata Biden:një dislokim të përhershëm, në një numër të madh të forcave amerikane në shtetet e vijës së parë të NATO-s, nga Estonia në Rumani. Dërgesat e armëve në Kiev, të cilat deri më tani maten me kg, dhe jo me ton, duhet të shndërrohen në një “urë ajrore” në shkallë të plotë. Trupat e NATO-s nuk kanë nevojë dhe s’duhet të luftojnë për Ukrainën. Por më e pakta që ne u detyrohemi ukrainasve, është t’u japim atyre një mundësi frenimi të pushtuesve.

Dhe kjo krijohet përmes armatosjes së mirë që përpara se të pushtohen, së bashku me një shans realist për të luftuar për veten e tyre. Përgjigja afatgjatë ndaj Rusisë, është rivendosja e konceptit të botës së lirë. Po çfarë nënkuptohet me këtë term?

Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një listë shtetesh që janë demokraci liberale, dhe ku disa prej tyre janë të lidhura së bashku nga aleanca traktatesh si NATO, apo blloqe tregtare rajonale si Bashkimi Evropian.

Bota e lirë, është ideja madhore se demokracitë e botës janë të lidhura midis tyre nëpërmjet angazhimeve të përbashkëta dhe themelore për lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Dhe këto angazhime i tejkalojnë politikat dhe kufijtë kombëtarë.

Asnjë popull i lirë nuk mund të jetë indiferent ndaj fatit të ndonjë populli tjetër të lirë, sepse armiku i çdo demokracie është në fund të fundit armiku i gjithë të tjerëve. Ky ishte leksioni kryesor i viteve 1930, kur demokracitë mendonin se mund ta fitonin paqen për veten e tyre, në kurriz të lirisë së të tjerëve, vetëm për të mësuar me shumë kosto, se një pazar i tillë nuk është asnjëherë i mundur.

Koncepti i botës së lirë nuk është i përsosur .Shtetet e saj përbërëse, janë kaq shpesh të papërsosura. Ajo mund të jetë e prirur ndaj vetëbesimit të tepruar (si në Afganistan) apo moskoherencës strategjike (siç ishte për disa vite në Ballkan) apo ndarjes së fortë (siç në rastin e luftës në Irak).

Por do të ishte një marrëzi të mendohej se humbja e Ukrainës, nuk do të thoshte asgjë për

të ardhmen e lirisë diku tjetër, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Suksesi në sipërmarrjet e rrezikshme, priret që të ngjallë admirimin e njerëzve, dhe Putinit nuk i kanë munguar kurrë admiruesit e tij perëndimorë, përfshirë ish-presidentin dhe ndoshta kreun e ardhshëm të SHBA-së, Donald Trump.

Duket se Putini mendon se ndarja dhe poshtërimi i Perëndimit për shkak të Ukrainës, do ta reduktonte NATO-n dhe partnerët e saj në një grup shtetesh, ku secili është i frikësuar dhe gati për kompromise.

Nuk është një bast i keq, dhe ndalimi i Putinit nuk do të jetë aspak i lehtë. Por një botë e lirë që e kupton se alternativa e të varurit së bashku, është ajo e varjes njëri pas tjetrit në trekembësh, mund të fillojë të paktën të përballet me kërcënimin që përfaqëson vërtet Vladimir Putin.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!