ABC mëson detaje të reja nga incidenti i ndodhur në fundjavë në Livadhë, pamjet e të cilit bënë xhiron e rrjetit. Visar Mato, i cili bashkë me të shoqen dhe fëmijën u akomoduan në vilën e Ektarina Joshit, tregon për ABC gjithë konfliktin me pronaren.
Ai tregon se shkoi me bashkëshorten e tij dhe vajzën 6-vjecare ditën e enjte pasdite. Kishte prenotuar të qëndronte deri ditën e shtunë. Të premten në mëngjes i kërkoi një zonje që punonte në vilë internet meqenëse përfshihej në pagesë si shërbim. Përgjigja që mori ishte që nuk ka. Më pas vunë re probleme me higjienën dhe vendosën të largoheshin.
Dolën nga vila dhe i dhanë pagesën për ditën që qëndruan zonjës që shërbente. Po ajo u kërkoi që të bënin dhe pagesën e ditës së shtunë. Ata nuk pranuan dhe më pas nisi debatin për një çarçaf që zonja pretendonte që ja kishin djegur me hekur. Bashkëshortja e Visar Matos i tha se kjo nuk ishte e vërtetë dhe u larguan. Por në dalje të Himarës vunë re një makinë që bënte manovra dhe i binte borisë së mjetit duke I bllokuar rrugën.
42-vjeçari thekson se ndaloi pasi mendoi se dikush kërkonte ndihmë. Nga makina zbriti një grua që sipas tij ishte pronarja e vilës Ektarina Joshi e cila nisi t’u kërkojë llogari për pagesën për të cilën në fakt nuk morën as faturë dhe për dëmet që ajo pretendon se familja Mato i kishte bërë.
Lexo edhe: “Jo një por dy Mihalë”, momenti kur çifti i turistëve tenton të largohet: Mos e hap xhamin fare
Duke qenë se nuk e gjetën gjuhën e komunikimit, Mato thotë se tentuan të ikin por 52-vjecarja u shtri në rrugë ndërsa i afërmi i saj nuk i lejonte të lëviznin.
Më pas ai u detyruar të kthehej pas. Po ata vazhduan ta ndiqnin. Mundi të shkëputej nga ta pasi zonja përplasi një mjet tjetër. Ndërsa thekson se po ndiqej dhe nga një motor. Gjatë rrugës pa një furgon policie, kërkoi ndihmë dhe u kthye pas për në komisariatin e Himarës.
Aty ndodhej vetëm një punonjës polici që u tha të qetësoheshin se askush nuk po i ndiqte më. Nuk ju duk serioz komunikimi dhe u detyrua të nisej për në Sarandë ku dhe bëri kallëzimin. 42-vjecari thotë se kjo ngjarje i ka kushtuar shumë. Shëndeti mendor i vajzës është rënduar, ka kaluar traumë. Ai e ka vizituar tek një psikiatër. /abcnews.al/