Valencia ka një detyrë të vështirë nesër në mbrëmje. Skuadra spanjolle pret Atalantën në sfidën e kthimit të raundit të 1/8 të Champions League. Dueli i parë u fitua 4-1 nga skuadra bergamaske dhe Valencia ka një detyrë shumë të vështirë për t’u kualifikuar.
Ndeshja në “Mestalla” do të zhvillohet pa praninë e tifozëve, ndërsa Alberto Celades, trajneri i Valencias, tregohet i sinqertë kur vjen fjala për kualifikimin në çerekfinale.
“Po e përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi të fortë në shtëpi dhe rezultati i ndeshjes së parë nuk përkon me atë që ndodhi në fushë. Mendoj se kemi nevojë për një mrekulli për t’u kualifikuar“, deklaron trajneri spanjoll.
Ultrasit e Valencias nuk mund të jenë të pranishëm në stadium për shkak të frikës nga koronavirusi, por ata nuk mund të qëndrojnë larg idhujve të tyre. Me anë të një komunikate, grupimi ‘Penyes Valencianistes’ fton të gjithë tifozët që të bashkohen afër stadiumit për të karikuar skuadrën e zemrës.
“I ftojmë tifozët të mbushin sheshin në 19:30 për të mirëpritur autobusët e ekipit. Valencia ka nevojë për të gjithë ne për të shënuar golin e parë. Ne duhet të jemi të bashkuar dhe të prodhojmë një klimë të zjarrtë jashtë stadiumit“. /abcnews.al