“Na kërkoi të largoheshim, porosia erdhi nga lart”, Basha thirrje atyre që merren me kërcënime

schedule13:09 - 5 Shkurt, 2020

schedule 13:09 - 5 Shkurt, 2020

Kryetari i Partisë Demokratike këtë të mërkurë ka zbardhur detaje nga takimi që ka zhvilluar mbrëmjen e së martës me disa studentë në konviktet e Qytetit Studenti në Tiranë ku është shprehur se kur mbërritëm në godinë u takuam me një punonjëse të konviktit,  dhe ata ju kanë kërkuar që të largoheshin pasi ishte urdhër nga lart.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryedemokrati ka bërë thirrje atyre që merren me kërcënime dhe frikësime, të rishqyrtojnë taktikat e tyre, pasi sipas tij zëri i popullit do të dëgjohet.

Postimi i plote:

Ngjarjet e 24 orëve të kaluara janë një pamje e qartë e realitetit me të cilin përballet Shqipëria.

Mbrëmë ishim të ftuar nga disa studentë për të parë si jetojnë dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Studentët tanë janë e ardhmja e këtij kombi, shqetësimet e tyre janë shqetësimet tona. Kjo është rruga jonë. Rruga e të dëgjuarit, e përfaqësimit të vërtetë të të gjithë shqiptarëve.

Kur mbërritëm në godinë u takuam me një punonjëse të konviktit, e cila na kërkoi të largoheshim. Kjo porosi erdhi nga lart.

Në fakt kjo është rruga tjetër, ajo e frikësimit dhe intimidimit.

Si shërbyes publik, nuk do të lejoj askënd që të më pengojë të dëgjoj problemet e bashkëqyetarëve të mi dhe të përpiqem t’i ndihmoj ata. Kjo është arsyeja pse u bëra pjesë e jetës publike.

Unë u bëj thirrje atyre që merren me kërcënime dhe frikësime, të rishqyrtojnë taktikat e tyre. Populli shqiptar do të dëgjohet!/abcnews.al