“Na kanë pritur mirë, Shqipëria U21 plot talente”, rrëfehen Salihu dhe Krasniqi

schedule16:18 - 26 Mars, 2021

schedule 16:18 - 26 Mars, 2021

Shqipëria U21 vazhdon grumbullimin 10-ditor në “Tropikal” nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi. Mbrojtësi i Laçit, Adolf Selmani ka lënë grumbullimin për shkak të një problemi fizik. Me kuqezinjtë e vegjël janë bashkuar Ermir Lekaj i Arbërisë dhe 17-vjeçari Diar Nikqi.

Përpara mediave dolën Hajdin Salihu dhe Jeton Krasniqi. I pari është 19 vjeç, luan si qendërmbrojtës dhe është pjesa e kroatëve të Lokomotivës së Zagrebit, ndërsa sulmuesi 20-vjeçar luan në Superiore me Apoloninë. Të dy lojtarët folën rreth grumbullimit me Shqipërinë U21.

SALIHU – “Ftesën e Kombëtares shqiptare e kam pritur shumë emocionalisht. Është kënaqësi të jesh pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë. Për mua është nder dhe krenari të vesh fanellën kuqezi. Besoj se çdo futbollist shqiptar e ka ëndërr të veshë fanellën shqiptare.

Është një grup i bukur, djemtë më kanë pritur mjaft mirë. Jemi duke punuar dhe besoj se do i arrijmë objektivat së shpejti. Niveli i skuadrës është shumë i mirë. Djemtë janë lojtarë të mirë dhe të talentuar dhe besoj se do kemi rezultate shumë të mira”.

KRASNIQI – “Ftesën e prita shumë mirë. Vështirësi ka kudo, por jemi munduar të japim më të mirën. E prita shumë mirë ftesën, djemtë më pritën shumë mirë. Jam i kënaqur që jam pjesë e ekipit kombëtar. Të japim maksimumin tonë.

Futbollistët e kampionatit shqiptar? Kam goxha shokë dhe i njoh edhe nga Superliga që jemi përballë. Na kanë pritur shumë mirë edhe ata që nuk na njohin, jemi përshtatur shumë shpejt.  Ata që luajnë jashtë kanë marrë një shtysë, por edhe djemtë që luajnë me ekipet shqiptare nuk janë të patalentuar. Ata e kanë treguar veten edhe në ekipet e tyre që dinë të luajnë, kanë marrë minuta, japin gjithçka që kanë, më të mirën e tyre dhe përderisa janë këtu, tregon që kanë arritur diçka të mirë.

Ka lojtarë të mirë, siç e thashë edhe më parë. Ata mund të ecin edhe më shumë, por duhet punë dhe përqëndrim në ekipet e tyre. Të japin maksimumet me klubet te tyre. Kombëtarja është diçka tjetër, është krenari për ata dhe shtysë e madhe për të treguar veten e tyre. Janë lojtarë të fortë dhe të mirë, kanë cilësi të mira. Edhe lojtarët që luajnë jashtë janë shumë të mirë. Ky grup ka cilësi shumë të mira”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!