Na ishte dikur Elbasani! Matraxhiu: Pushtetarë, ku jeni? Gjeni një zgjidhje

schedule15:26 - 15 Mars, 2020

schedule 15:26 - 15 Mars, 2020

Historia e një qyteti! Në këtë foto kam të përmbledhur shumë kujtime. Qyteti jetonte me skuadrën, unë udhëtoja çdo javë nga Tirana për të pare ekipin. Gjithçka dukej si një ëndërr, pavarësisht se ekipi një vit më parë ishte nënkampion i Shqipërisë. Trofeu kampion ishte i pabesueshëm që nga vitet 80-të në Elbasan. Së bashku me shokët organizoheshim për të mbështetur skuadrën. Asokohe nuk kishte shumë informacione si tani.

Në internet ekzistonte vetëm ëëë.tifozat.com, ku merrje eksperienca dhe mundoheshe t’i transmetoje tek te tjerët. Pas një nisme të bukur, krijuam dhe tifogrupin dhe ishim më të organizuar në mbështetje të skuadrës. Kujtimet janë shumë të bukura dhe prekëse. Udhëtonim edhe jashtë fushe mbi 3000 veta. Ndërsa në Elbasan, edhe pjesa përballë nuk kishte stola me numër radhe dhe vendi, tifozët ziheshin për të zënë një vend.

 

Kur mbaronte ndeshja, bulevardi kryesore nga stadiumi deri tek porta e kalasë ishte i zënë nga tifozët që festonin. Lufta vazhdoi e gjatë, tifozët shumë të betuar dhe besnikë ndoqën skuadrën hap pas hapi, derisa titulli kampion erdhi në Elbasan. Festa e nisur me 13 Maj 2006 në qytetin tonë, padyshim nuk është e parealizueshme, por origjinale për mënyrën e përjetimit të të gjithë qytetit, nga më i vogli, tek më i madhi. Festa vazhdoi deri në agim. Vullkani verdheblu kishte shpërthyer. Vëmendja e mediave dhe e gjithë opinionit sportiv në Shqipëri ishte në Elbasan.

Por të ecim përpara pak në kohë! Të analizojmë Elbasanin sot? Ku janë pushtetarët që e duan qytetin me zemër (gjatë fushatës elektorale) dhe me pas harrojnë që ky qytet ka edhe një ekip futbolli me tradita, i cili brez pas brezi, trashëguar me lojtarë në fushën e blertë dhe tifozë në shkallët e stadiumit, ka ekzistuar dhe do të ekzistojë.

 

Por indiferenca e tyre, lakmia e pushtetit, gjithashtu do të mbahet mend në çdo kohë se si ata elbasanas, që me pushtetin në dorë nuk bënë asgjë për amanetet e të parëve të tyre. Është e kotë që të shkruaj më shumë, pasi nuk jam as i pari dhe as i fundit që ngre zërin për Elbasanin, por më shumë se ngritja e zërit, duhet ngritur ajo tifozeri e izoluar prej kohesh nga ecuria e keqe e Elbasanit.

Të jem realist dhe të mos bëj hipokritin, sot nuk kam mundësi dhe as ngenë të bëj gjëra të tilla, por me bindje të plotë e them, se të isha edhe një herë në adoleshencë, do të rrija çdo ditë, i vetëm apo me shokë, te porta e kryetarit të Bashkisë! Dhe këtë s’do ta bëja për interesa tenderash apo pozicione pune, por për një dashuri ndaj asaj logoje, të cilën kurrë se kam mohuar.

 

Për një trashëgimi e amanet që na e lanë gjyshërit dhe njerëzit tanë. Për ata shokë që ndodhen në këto foto, por sot nuk janë më mes nesh, fëmijët tanë që rriten në qytete apo shtete të tjera dhe s’kanë mundësi të shohin skuadrën e gjakut, atij gjaku verdheblu që rrjedh në venat e tyre!

I bëj thirrje kryetarit të Bashkisë (si një bashkëmoshatar) të ngrejë një grup të posaçëm pune për të analizuar situatën në klub dhe padyshim jo vetëm për të analizuar, por edhe për t’i dhënë zgjidhje një herë e përgjithmonë kësaj krize që ai qytet që jeton me futbollin, nuk e meriton! / Andi Matraxhiu, Facebook

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!