Qabeja dhe Bazilika e Shën Pjetrit qëndrojnë krah njëra tjetrës në zyrën e një myslimani. Genti Kruja i ka dhuratë, këtë të fundit nga Papa Françesku gjatë një vizite në Vatikan në vitin 2018. Me Atin e Shenjtë është takuar dy herë dhe përshtypja ka qenë e njejtë.
“Kur takon njerëz të tillë ka një lloj madhështie që i jep vetë pozicioni. Të krijon një lloj distance zyrtare që mund të stepesh, por ishte një takim shumë i përzemërt, i thjeshtë, modest, me një buzëqeshje tipike.”
Thjeshtësia e Papa Françeskut i ka mbetur në kujtesë ndërsa buzëqeshja dhe në fotografi.
Edhe kur e takoi në 2018 në vendin e tij si Sekretar I Përgjithshëm I Këshillit Ndërfetar dhe katër vjet më herët kur Papa vizitoi vendin tonë e ai ishte drejtor I kulturës dhe dialogut ndërfetar në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.
“Na prezantuan secili se kush jemi, unë isha drejtor I kulturës dhe dialogut ndërfetar në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ai buzëqeshi menjëherë kur dëgjoi fjalën dialogu ndërfetar dhe më përgëzoi për detyrën.”
Françeskun do ta mbajë mend si Papën që la gjurmë në dialogun mes feve.
“Ishte lideri që foli për padrejtësitë, për luftërat, për konfliktet dhe këto nuk janë luftra tha, janë mizori. Një personalitet që nuk I përkiste vetëm botës katolike, por një personalitet që la gjurmë dhe në dialogun ndërfetar. Papa I parë që nënshkroi marrëveshje me myslimanët, dokumentin e Abu Dabit, nënshkruar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Dokument I përbashkët nisur nga njerëzorja për të parë pikat që na bashkojnë. Se ka më shumë pika që na bashkojnë se na ndajnë.”
Feja në Shqipëri nuk krijon ndasi ndërsa bashkëjetesa nuk kalon pa vlerësime.
Presidenti i Këshillit Ndërfetar të Europës sjell në vëmendje vizitën e dy Papëve në dy dekada, Françeskun e Gjon Palin e II të cilin e përshëndeti në Shkodër kur ishte gjimnazist.
“16 vjeç kur kam takuar Papa Gjon Palin II në gjimnaz. Kishte dalë gjithë qyteti për ta pritur. Prisnim me padurim kur po kalonte, kur do vinte makina karakteristike, përshëndeti popullin, ishte një distancë e shkurtër kur kaloi para nesh.
Vizita e dy Papëve vlerësimi që I japin këtij vendi për shkak të kësaj bashkëjetese që na karakterizon ndër shekuj dhe nuk është një gjë e re është pjesë e identitetit tonë kombëtar, jo për fasadë, jo për vitrinë, por diçka e natyrshme që më shumë e vënë re të huajt se ne. “
Se vendasit ishin bashkë thotë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Nderfetar ndërsa kthehet pas në kohë e kujton fëmijërinë në Shkodër kur katolikë e myslimanë organizuan bashkë meshën e parë dhe faljen e parë të xhumasë pas ndalimit të feve.
“Kam vizituar ceremonitë e para katolike në Shkodër po dhe në xhaminë e plumbit. Ishin në të njejtën ditë, djemt e rinj i përgatitën bashkë. Mesha e parë katolike 11 nëntor dhe me 16 nëntor faljen e xhumasë, ishin përgatitje të improvizuara pasi objektet e kultit ishin të shkatërruara. La gjurmë në identitetin tim personal në lidhje me besimin.”
Tashmë jo vetëm si besimtar, por dhe si President i Këshillave Ndërfetar të Europës thotë se harmonia mes shqiptarëve vlerësuar dhe nga Papa Françesku duhet të promovohet e jo vetëm të trashëgohet në familje, si urat për të afruar e jo mure për të ndarë.
“Dialogu ndërfetar është mënyra më e mirë për ti afruar njerëzit, për ti thënë atyre se të gjithë janë banorë të kësaj toke dhe asnjëri nuk është më i mirë se tjetri pavarësisht origjinës së tyre të gjithë janë të barabartë para zotit ajo që I dallon është devotshmëria ndaj Zotit”/abcnews.al