Java e Myrto Uzunit. Sulmuesi anësor i Lokomotova Zagreb ishte vendimtar për skuadrën e tij, duke shënuar dy herë në portën e NK Istra për 120 sekonda. Më mirë nuk mund të shkonte për beratasin, që tashmë ka marrë edhe vlerësimet në mediat kroate.
Telesport.hr, që i referohet Instatsport, e ka vlerësuar me indeksin më të lartë, 322, duke bërë që Uzuni të përzgjidhet si lojtari më i mirë i javës (hera e dytë për të) në kampionatin kroat. Sigurisht ai është edhe pjesë e formacionit më të mirë. Më shumë se një herë lojtar i javës ishte shpallur Dani Olmo (2 herë) dhe Christian Lovric (4 herë).
Uzuni në ndeshjen ndaj Istra arriti të godasë katër herë në kuadrat dhe dy herë topi e kaloi vijën fatale. Anësori regjistroi 38 pasime të sakta, ndërkohë që fitoi 6 duele dhe kreu me sukses dy driblime. Ai ia doli të ndërpriste 4 sulme të Istra, në fushën e tyre. /abcnews.al