Muzeu me kujtimet e disidentes/ Një godinë modeste e ngritur nga dashuria e pasardhësve të Musine Kokalarit

schedule20:09 - 9 Nëntor, 2024

schedule 20:09 - 9 Nëntor, 2024

Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste.

Kjo ishte një nga frazat që tha Musine Kokalari gjatë gjyqit që regjimi komunist kreu, ku shkrimtarja disidente u dënua me 20 vite burgim në burgun e Burrelit dhe 19 vite të tjera i kaloi e vetme në internim. Imazhet e qëndresës kryelartë të intelektuales gjirokastrite tashmë i hasim në muzeun që i dedikohet vetëm jetës dhe veprës së saj, muze i cili është ngritur nga Arjeta Kokalari, pasardhëse e Musinesë.

Ky muze ndodhet në ambjentet e banesës së Arjetës e cila ka plotësuar amanetin e babait të saj për realizimin e këtij muzeu, por për fat të keq sot ai është shumë pak i vizitueshëm.

Musine Kokalari ishte një nga intelektualet e para ku studimet i mbaroi shkëlqyeshëm në Itali, ku mori dhe formimin e saj edhe në politikë.

Pas kthimit në Shqipëri ishte themeluese e Partisë socialdemokrate,vendim që do t’i kushtonte shumë rëndë disa vite më vonë.

Citatet e saj sot janë në të gjitha ambjentet e këtij muzeu ku lartësimi i figurës së gruas vihet re në të gjitha mbishkrimet. Si për habi në një kënd të muzeut gjenden edhe disa botime të sistemit komunist të cilat ilustrojnë edhe imazhin e Enver Hoxhës.

Të afërm të familjes prej kohësh po pasurojnë këtë muze me sende personale të Musinesë ose më saktë ato që kanë mundur të tërheqin pas vdekjes në vitin 1983 në moshën 66 vjeçare ku ndërroi jetë e vetme dhe u varros nga puntorët e komunales. Sot për jetën dhe veprën e Musine Kokalarit flitet shumë pak e ky muze modest dhe i ngritur vetëm nga dashuria e pasardhësve të saj është i vetmi vend në Gjirokastër që na kujton emrin e Musine Kokalarit, heroinës intelektuale dhe reformatores së jetës politike në Shqipëri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!