Muzeu Etnografik i Krujës, një nga thesaret më të vyera të trashëgimisë kulturore shqiptare, është një atraksion i jashtëzakonshëm për turistët vendas dhe të huaj. I vendosur brenda kalasë historike të Krujës, ky muze është pjesë e pandashme e identitetit dhe kulturës lokale.
Ai ndodhet në një nga shtëpitë më të njohura të qytetit, shtëpinë e familjes Toptani, një banesë tipike krutane e ndërtuar në vitin 1764, e cila është një shembull i jetesës tradicionale të periudhës.
Muzeu etongrafik përshkruan krijimtarinë e popullit tonë në shekuj, si në bujqësi, blegtori e artizanat. Një nga aspektet më interesante të këtij muzeu është ruajtja e objekteve origjinale ku rreth 90 përqind e objekteve të ekspozuara janë origjinale, e një pjesë e tyre deri në 500-vjeçare. Kjo renditet edhe si arsyeja përse turistët shfaqin interes kaq të lartë për të vizituar këtë muze.
Në të dyja katet e muzeut, vizitorët mund të shohin një shumëllojshmëri objektesh, nga veshje tradicionale, mjete punuese, pajisje bujqësore e deri te artizanati. Përgjegjësi i muzeut të Krujës shpjegon me kujdes çdo detaj të përbërjes së godinës dhe historisë së saj, duke i dhënë vizitorëve mundësinë të kuptojnë në mënyrë të thelluar rëndësinë e këtij muzeu.
Muzeu Etnografik i Krujës është një vend ku historia dhe kultura bashkohen në një mënyrë unike, duke ofruar një përvojë të pasur për ata që e vizitojnë./abcnews.al