Simptomat e forta të mutacionit Delta dhe përhapja e tij e shpejtë krahasuar me llojet e tjera të koronavirusit kanë shqetësuar prej kohësh shkencëtarët, dhe sipas të dhënave, sëbashku me shfaqjen e mutacionit, “harta” e virusit tek fëmijët është zgjeruar.
Associated Press ngre pyetjen që bëjnë shumë prindër: “A është Delta një mutacion më i keq për fëmijët?”.
Është qartë se shfaqja e mutacionit “Delta” ndryshoi plotësisht skenën e pandemisë. Fillimisht “Delta” u shfaq duke sjellë valën më të fortë të pandemisë në Indi, por shpejt u përhap në vende të tjera dhe tashmë mbizotëron në shumë vende të botës. Prandaj duket se ka shpërndarje më të madhe se Alfa, Beta dhe Gama, dhe nuk duket se ndan mutacione me asnjë nga këto të treja, raporton abcnews.al.
Sipas ekspertëve, nuk ka asnjë dëshmi të fortë se efektet e “Delta-s” janë më të rënda te fëmijët dhe adoleshentët krahasuar me ato të mëparshmet, edhe pse “Delta” ka çuar në një rritje të infeksioneve tek fëmijët sepse është më ngjitëse.
“Aftësia e tij për t’u përhapur më lehtë e bën atë mutacion më të rrezikshëm për fëmijët dhe nënvizon nevojën e shtyrjes përpara sa më shpejt të planeve të vaksinimit dhe masave të tjera mbrojtëse,” tha Profesori i Sëmundjeve Infektive Pediatrike në Spitalin e Fëmijëve Johns Hopkins në Florida, Dr. Juan Dimoua.
Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë, normat javore të infeksionit tek fëmijët në Shtetet e Bashkuara tejkaluan 250 000. Që nga fillimi i pandemisë, më shumë se 5 milion fëmijë kanë rezultuar pozitivë për COVID-19 në Shtetet e Bashkuara.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, mutacioni “Delta” është identifikuar në të paktën 180 vende, dhe në shumë prej tyre, rritja e infeksioneve ka çuar në një rritje të konsiderueshme të shtrimeve në spital tek fëmijët dhe adoleshentët.
Në SHBA, normat e shtrimit në spital për fëmijët në gusht-shtator ishin njëlloj ose madje më të larta se dimrin e kaluar, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Sigurisht, edhe pse numri i fëmijëve që infektohen çdo ditë në Shtetet e Bashkuara është i madh nuk do të thotë se ata janë shtruar në spital me simptoma serioze. Shumica e tyre kanë simptoma të lehta – sidoqoftë – sa më shumë raste aq më e vështirë bëhet situata në spitale.
Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, në grupmoshën 12-18 vjeç, fëmijët dhe adoleshentët e pavaksinuar kishin dhjetë herë më shumë gjasa të sëmureshin dhe kishin nevojë për trajtim sesa ata që ishin vaksinuar. /abcnews.al