Gazetari Juxhin Mustafaraj, në një lidhje me “Log.” në Abc të gazetarit Endri Xhafo, ka përmbledhur gjithë zhvillimet politike që ndodhën brenda PD-së mbrëmjen e së hënës e cila konkludoi me dorëheqjen e Lulzim Bashës.
Mustafaraj tha se Basha nuk e dha dorëheqjen për disfatë politike, por për pamundësinë për të bashkuar PD-në.
‘Lulzim Basha ka patur shumë raste për të dhënë dorëheqjen, kjo ishte dorëheqja e parë pas 9 vitesh. Ai nuk e dha dorëheqjen për një disfatë politike, ai e dha dorëheqjen se nuk arriti të bashkojë demokratët’, tha Mustafaraj.
Më tej gazetari i Abc deklaroi se emërimi i Enkelejd Alibeajt se kryetar i komanduar i PD erdhi pa u mbledhur organet e partisë si Këshilli Kombëtar, pasi nënkryetarja tjetër e partisë Jorida Tabaku kishte hequr dorë nga e drejta e saj.
‘Pasojat e dorëheqjes së Lulzim Bashës duhet të kalonin në mbledhjen e Këshillit kombëtar për të komanduar kryetarin e ri, por për shkak se zonja Tabaku është dorëhequr nga e drejta për të qenë pjesë e këtij procesi automatikisht Alibeaj do të jetë kryetari në detyrë i PD deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Ajo që pritet është reagimi i zotit Berisha, ka pasur një reagim pasditen e sotme, por ishte një reagim i cili vinte para se të bëhej publike rezoluta, ku kushtëzohej bashkëpunimi me Komisionin e Rithemelimit jo vetëm me pengesën e Berishës për të kandiduar si kryetar i PD, por dhe ngas vendimmarrja. Besoj se do të ketë një qëndrim të unifikuar të Komisionit të Rithemelimit’, u shpreh Mustafaraj.
/T.H/Abcnews.al/