Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka folur për media pas mbledhjes me kryetarët e degëve të kësaj partie.
Ai ka treguar se mbledhja e sotme ka qenë në funksion të organizimit të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës i cili do të mbahet me 14 mars, shkruan lajmi.net.
“Pata takimin me kryetar të degëve të LDK-së dhe diskutimi ka qenë për mbajtjen e Kuvendit për zgjedhjen e kryetarëve të LDK-së dhe data është 14 marsi. Tek ne degët i dërgojnë delegatët e Kuvendit, ata që janë zgjedhur në Kuvendet e kaluara sepse ky nuk është Kuvend qëndror i LDK-së.”, tha Mustafa.
Më tutje ai tha se nuk është diskutuar për kandidatura dhe se të njëjtat do t’i paraqiten Kuvendit dhe komisionit përgjegjës dhe se si kryetar dhe kryesi e LDK-së nuk duan të interferojnë në kandidatura.
“Nuk është diskutuar sepse nuk ka qenë qëllimi të diskutohet, ne çështjen e kandidatëve e lëmë çështje të Kuvendit, ka të drejtë edhe ditën që mbahet Kuvendi të propozohen nga Komisioni dhe ne nuk duam të interferojmë tek emrat. Unë si kryetar i LDK-së akoma jam përgjegjës dhe i interesuar që të mbahet një Kuvend i rregullt dhe të zbatohet në tërësi statuti i LDK-së dhe që kryetari të zgjidhet nga delegatët nga 355 sa i ka Kuvendi ynë.”, tha ai.
Më tej i pyetur nëse ka kandidatura zyrtare, Mustafa ka mohuar një gjë të tillë.
“Nuk ka kandidatura zyrtare, ato ndodhin në Kuvend edhe pse ka pasur disa deklarime televizive, por kandidaturat zyrtare i presim në Kuvend dhe nuk dëshirojmë as kryesia e as unë si kryetar të interferojmë sepse duam ta lëmë që Kuvendi të vendos”, tha Mustafa.
Ai gjithashtu ka refuzuar të komentojë mbi numrin e votave të fituara nga ish-kandidatja dhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani si pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje.
“Unë nuk komentoj tani fitoret individuale, është çështje e qytetarëve të cilët kanë votuar dhe unë e respektoj çdo votë të qytetarëve dhe për këtë arsye kemi pranuar edhe rezultatet e zgjedhjeve”, tha Mustafa.
Mustafa gjithashtu ka thënë se nuk ka preferenca për kryetarin e ri të LDK-së por sipas tij është e rëndësishme që ai t’i mbrojë vlerat e partisë.
“S’ka preferenca. Me çfarë të drejte unë i jap vetës ose i dha preferencë dikujt, preferenca i mbetet Kuvendit dhe nuk është e mirë të insistoni për emra konkret dhe pikëpamjet e mija, sepse preferenca ime është që në krye të LDK-së të vijë dikush që i mbron interesat e LDK-së, emrin ia ngjet Kuvendi dhe jo unë.”, tha Mustafa.
Kryetari në dorëheqje i LDK-së ka thënë se nuk ka takime të grupeve të fshehta në LDK dhe këto janë spekulime të njerëzve.
“Nuk ka takime të grupeve të fshehta ose të caktuara, të gjitha janë takime të hapura dhe të gjithë që deklarojnë çështje të tilla gënjejnë opinionin dhe tentojnë të krijojnë situatë jo të mirë para Kuvendit të LDK-së dhe i lus edhe ata edhe mediat që të mos bëjnë gjëra të tilla. Unë tash e 10 vite jam në krye të LDK-së dhe askush nuk më ka akuzuar se kam klane ose diçka të tillë. Janë çështje të ulta dhe të pavërteta.”, tha ai.