Mustafa: Osmani po sillet si rebele, pas kërcënimit ndaj KQZ-së s’meriton të jetë në Presidencë

schedule20:34 - 23 Janar, 2021

schedule 20:34 - 23 Janar, 2021

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar pas deklaratës së Vjosa Osmanit, ku ka theksuar se ajo nuk e meriton më që të jetë dhe një orë në Presidencë.

Mustafa tha se me video-adresimin e saj të sotëm, Osmani postin e presidentes po e abuzon me sjellje rebele dhe për interesa të saja të ngushta partiake në Vetëvendosje.

Mustafa e ka quajtur të turpshme që presidentja akuzon sipas tij institucionet e pavarura siç është KQZ-ja.

Ndër të tjera ai ka thënë se me sjelljen e saj gjatë video-adresimit në Facebook, Osmani nuk e meriton të jetë as një orë në presidencë.

“Adresimi i tillë i znj. Vjosa Osmani, flet se ajo është një ushtruese krejtësisht e papërgjegjshme e rolit të presidentit. Nga u.d presidentja është pritur ta mbrojë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të mbrojë implementimin e ligjit dhe të mbrojë institucionet e pavarura. Ajo petkun e u.d së presidentit po e abuzon me sjellje rebele dhe për interesa të saja të ngushta partiake në VV. Është e palejueshme dhe e turpshme që u.d presidentja t’iu kërcënohet institucioneve të pavarura. Me këtë sjellje, ajo nuk meriton as një orë të jetë në Presidencë”,  i tha Mustafa Express.

Osmani ka thënë se nëse edhe njëherë abuzohet me KQZ-në sikur ditën e djeshme do të detyrohet të ndërmarrë masa.

I ftoj qytetarët të ruajnë maturinë dhe qetësinë që ta mbrojmë integritetin e procesit zgjedhor. Jam duke punuar afër me partnerët tanë që të kemi prezencën e tyre në këtë proces. Në rast se përballemi me situata të tilla ku abuzohet me KQZ për të shtyrë përpara agjenda partiake nga ana e anëtarëve të KQZ’së do të detyrohem që të ndërmarr të gjitha masat për integritetin e KQZ’së dhe procesit zgjedhor”, ka thënë Osmani.

Pas një mbledhjeje maratonike me shumë debate dhe tensione, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i certifikoi listat zgjedhore me emrat për deputetë të subjekteve politike, Vetëvendosje, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit./abcnews.al