Historia e mafias në Itali, daton herët. Në rrugëtimin e ‘Real Story’ përgjatë Corleone, këshilltari Ilir Kulla, rrëfen se Benito Musolini, ishte i vetmi nga shteti italian që ka arritur të nënshtrojë mafian asokohe.
Musolini vizitoi Sicilinë si kryeministër ne 1924. Ai u prit nga kryetari i bashkisë së Piana dei Greci, mafizoi Francesko Cuccia. i cili shprehu habi për eskortën e madhe të Musolinit dhe thuhet se i pëshpëriti në vesh: këtu nuk të duhen rojet, se të mbroj unë. Refuzimi i Musolinit solli braktisjen e takimit nga Cucia dhe nga banorët që ndoqën bashkiakun e tyre mafioz, duke lënë Musolinin të tërbuar.
Më pas erdhi hakmarrja. Musolini vendos një prefekt të tijin pak muaj me vonë në Palermo, duke i dhënë fuqi të jashtëzakonshme. Prefekti formon një ushtri të vogël policësh dhe ushtarakesh, e arrestojnë mafiozët në çdo fshat e qytet, duke u marrë familjarët peng e therur bagëtitë në mes të sheshit. Deri në 1928 mbi 11 mijë mafiozë u arrestuan, në atë që mund të quhet si lufta e parë e fituar nga shteti Italian ndaj mafias.
Sokol Balla: Çfarë e bëri mafien kaq të fuqishme edhe përballë shtetit italian po flasim. Pasi nga ky fshat erdhën urdhrat edhe për vrasjen e Borselinos…
Ilir Kulla: Lufta e Dytë Botërore solli që në 1943 kur do bëhej zbarkimi i aleatëve nga Tunizia e afërt këtu dhe Libia drejt Italisë për të rrëzuar fashizmin dhe nazizmin familjet e mëdha mafioze, 5 familjet e famshme të New Yorkut e kishin pak a shumë origjinën nga këto rajone. Shteti amerikan u detyrua të bëjë një marrëveshje me këto familje në mënyrë që kur të ndodhte zbarkimi populli të mos rezistonte dhe të mos ndihmonte Mussolinin.
Sokol Balla: Pra, Musolini është i vetmi nga shteti italian që ka arritur të nënshtrojë mafian…
Ilir Kulla: Në atë kohë me dhunë po, dhe ata u bënë me aleatët kundër fashizmit dhe kundër nazizmit dhe kjo më pas krijoi kohezionin e pasluftës që ju do ta gjeni në një film shumë të bukur që quhet “Në luftë për dashuri”, ku u krijua ky kohezion i bashkëjetesës politike për më shumë se 50 vjet deri sa erdhën në pikën kur ngjarjet që ju përmendni që u bënë vrasjet e prokurorëve të mëdhenj antimafia dhe të politikanëve.
Sokol Balla: Dhe kjo pasoi me megaprocesin e famshëm antimafia ku…
Ilir Kulla: Jo, megaprocesi ishte përpara kjo pasoi me një sistem politik të shtetit Italian që vendosi që të heqë pushtetin politik të mafias. Kini parasysh që në fillim vitet ’90 llogaritej që në gjithë Sicilinë ushtria e mafias ishte diku te 70 mijë vetë dhe sistemi politik ishte shumë i përfshirë.
/abcnews.al/