Muriqi në krye e Manaj në fund, sa paguhen shqiptarët në Serie A

schedule19:17 - 29 Shtator, 2021

schedule 19:17 - 29 Shtator, 2021

Shqiptarët në Serie A sa vazhdojnë e shtohen. Një pjesë e tyre madje janë edhe mes lojtarëve më të paguar në skuadrat respektive, sikurse ndodh me sulmuesin Vedat Muriqi te Lazio. Dardani, i cili ka luajtur edhe në Superiore me Teutën e Besën, përfiton 2.2 milionë euro në sezon.

Sulmuesi është shqiptari më i paguar në Serie A dhe më pas “medalje” marrin tre lojtarë të tjerë, edhe pse në podium ka vende për dy. Elseid Hysaj, Marash Kumbulla dhe Amir Rrahmani përfitojnë nga 1.8 milionë euro, duke lënë pas dy lojtarë të kombëtares së Shqipërisë.

Nedim Bajrami dhe Thomas Strakosha arkëtojnë në vit nga Empoli e Lazio 1.2 milionë euro. Renditja vijon me një tjetër portier, kapitenin e kombëtares Etrit Berisha. Paga neto e shtatlartit është 1 milion euro.

 

Ardian Ismajli është i pari nga lojtarët që përfitojnë nën 1 milion euro. Lojtari i transferuar tek Empoli këtë verë ka një pagë që kap shifrën e 900 mijë euro, 100 mijë më shumë se Berat Gjimshiti, i cili sportivisht është nga më të mirët dhe një titullar i rëndësishëm tek Atalanta.

Manaj, edhe pse emri “Rey” i përkthehet “mbreti”, është i fundit në listë. Sulmuesi kaloi te Spezia këtë verë në huazim prej Barcelonës dhe përfiton 420 mijë euro, duke u lënë pas nga Mërgim Vojvoda (700 mijë euro në sezon) i Torinos. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!