Mungon vetëm firma për t’u quajtur lojtar i Rapid Bucuresti, Florent Hasani: Mezi pres të vij në Bukuresht

schedule16:00 - 17 Dhjetor, 2023

schedule 16:00 - 17 Dhjetor, 2023

Tashmë gjithçka është vulosur. “Bomberi” i “Bardhebluve” të Tiranës, Florent Hasani do të vazhdojë karrierën e tij futbollistike larg Superiores, me “gjigantët” rumunë të Rapid Bucuresti, që janë në pritje të hapjes në mënyrë zyrtare të merkatos së dimrit, për të mirëpritur 26-vjeçarin e sulmit.

Te rumunët, “bomberi” nga Vushtrria do të ketë shokë skuadre, një tjetër “Dardan” të sulmit, “fantazistin”, Albion Rrahmani, teksa në fjalën e tij të parë, për klubin e tij të ri nuk mund të linte pa përmendur as shokun e tij të Kombëtares.

“Përshëndetje për të gjithë tifozët e Rapidit, faleminderit për mikpritjen. Që kur nisa bisedimet me këtë klub, unë doja ta mbyllja sa më mirë në Shqipëri dhe të bëhesha futbollist i Rapidit. Mezi po pres të vij në Bukuresht, të luaj përpara tifozëve të rinj dhe të realizojmë objektivat e klubit.

Di diçka për kampionatin rumun dhe Rapidin. Disa miq më kanë folur gjëra të mira për Rapidin.Gjithashtu kam biseduar me Albionin (Rrahmani), i cili më foli për klubin, njerëzit këtu dhe tifozët e mrekullueshëm.

Objektivat e mi? Kur je futbollist profesionist, duhet të fokusohesh fillimisht te objektivat e ekipit, të luftosh për to, të japësh gjithçka dhe më pas të mendosh për qëllimet e tua personale. Mendoj se gjëja më e rëndësishme për ne është të jemi në krye të tabelës. Tifozët të vazhdojnë kështu, së bashku të bëjmë një punë të shkëlqyer. Respekt dhe dashuri për tifozët”,- u shpreh Hasani, në fjalë e para për klubin e tij të ri.

Ndërkaq, kujtojmë se Florent Hasani u transferua te “Bardheblutë” e Tiranës, si një lojtar i lirë, nga hungarezët e Gyirmot, në verën e vitit 2022 dhe te rekordmenët e Superirores arriti të lërë jo pak gjurmë, duke shënuar plot 29 gola e duke dhuruar 11 asistime, në 62 paraqitje me fanelën e kryeqytetasve. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!