Një pjesë e banorëve të kryeqytetit do të përballen me mungesën e ujit gjatë ditës së sotme. Ujësjellësi i Tiranës njofton kufizime të pjesshme të furnizimit. Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës sipas ujësjellësit kanë turbulluar ujëmbledhësin e Bovillës.
“Thatësira prej më shumë se pesë muajsh dhe intensiteti i lartë i reshjeve prej 115 mm, kanë shkaktuar këtë gjendje në ujëmbledhësin, prej të cilit furnizohet me ujë një pjesë e mirë e qytetit”, shkruan ujësjellësi në Facebook.
Ndërkohë Ujësjellësi i Tiranës i kërkon qytetarëve që deri në stabilizimin dhe kthjellimin në ujëmbledhës të tregojnë kujdes me përdorimin e ujit të pijshëm. Inxhinierët e UKT-së mendojnë se furnizimi normal me ujë do të rinisë në orët e mbrëmjes./ABC News Albania 24/7