Mungoi gjyqtarja, shtyhet sërish seanca për Lulzim Berishën dhe Emiljano Shullazin

schedule09:37 - 16 Janar, 2023

schedule 09:37 - 16 Janar, 2023

Është shtyrë sërish seanca për Lulzim Berishën, Emiljano Shullazin dhe të pandehurit e tjerë për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut. Shkak për shtyrjen e seancës së sotme u bë mungesa e një prej gjyqtareve, Etleva Deda për shkak të problemeve shëndetësore.

Të pandehurit akuzohen për vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt në shkurt të vitit 2005, mes të cilëve janë edhe Lulzim Berisha dhe Emiliano Shullazi. Akuzat ndaj tyre janë ngritur pas dëshmisë së Luftar Reçit, i cili ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Sipas tij, Shullazi ishte brenda një makine me ngjyrë të errët, bashkë me një vajzë kur mori bombën. Reçi tregon se Viktor Ymeri ishte mburrur në burg, se personin që i vuri bombën Vajdin Lamajt, e kishte gjetur ai nga qelia. Prokuroria e lidh Shullazin me ngjarjen referuar dëshmisë së Luftar Reçit si edhe të vëllait të Vajdin Lamajt, i cili ka dëshmuar se dyshon se pas vrasjes ishte pikërisht Shullazi dhe grupi i tij.

Ky i fundit, dyshohet nga SPAK se ishte personi që qëlloi me armë edhe në tetor 2004 ndaj Vajdin Lamajt, ku ky i fundit mbeti i plagosur. Të akuzuarit, janë emra të njohur për drejtësinë për një seri krimesh të tjera, të burgosur, të dënuar apo të shpallur në kërkim. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!