“Mungesa e pneumologëve dhe infeksionistëve”, Gjata: Pandemia s’mund të parashikohej

schedule15:24 - 29 Nëntor, 2020

schedule 15:24 - 29 Nëntor, 2020

Autoritetet shëndetësore justifikojnë mungesën e pneumologëve me argumentin se nuk mund të parashikohej pandemia covid.

Rektori i Universitetit të mjekësisë dhe kreu i Taks Forcës për rekrutimin e mjekëve, Arben Gjata, tha për ABC, se numri specializantëve është i planifikuar për nevojat shëndetësore.

“Shqipëria ka një numër të caktuar qoftë neurologësh qoftë infeksionistësh që lidhen me numrin total të popullatës që ka. Nuk parashikon do njeri që duhen shumë infeksionistë sepse mund të nxjerrë shumë pneumologë dhe mund të mos ketë vende pune për ta”, u shpreh ai.

Gjata shpjegoi dhe arsyen pse po vonohet hapja e spitaleve Covid në rrethe.

Pranoi se dhomat nuk janë të pajisura me oksigjen apo kanë mungesa të tjera të rëndësishme për trajtimin e të sëmurëve me covid.

“Është duke u punuar për të krijuar infrastrukturën përkatëse në një pjesë të spitaleve rajonale sepse Covid ka nevojë për oksigjen dhe jo të gjitha spitalet në Shqipëri kanë pasur modele të vjetra gjë që na çon gradualisht në hapjen e spitaleve rajonale. Është kusht i detyrueshëm që çdo shtrat spitalor i dedikuar për Covid, të ketë oksigjen”, sqaroi Gjata.

Gjata pati dhe një kërkesë për Ministrinë e Shëndetësisë. në përballimin e situatës covid, kërkoi mobilizimin e studentëve të viteve 5 dhe 6 në spitale.

“I kemi propozuar Ministrisë së Shëndetësisë pasi Universiteti nuk lejohet të bëjë mësim dhe studentët e viteve të pestë e të gjashtë ne t’i kthejmë në spitale duke ndryshuar mënyrën e mësimit praktik.

Në këtë mënyrë studentët mund të kenë mundësi të mbështesin sistemin duke punuar në strukturat jo Covid. Nuk flas të punojnë në spitalet Covid. Por periudhën praktike ta bëjnë në spitale të tjera Universitare”, tha ai./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!