“Mundësitë buxhetore janë”, Xhepa: Të rishikohet ndihma ekonomike, varfëria është rritur

schedule20:30 - 22 Shtator, 2022

schedule 20:30 - 22 Shtator, 2022

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa i ftuar në emisionin “Radari Informativ” në ABC ka komentuar paketën antikrizë të prezantuar disa ditë më parë nga qeveria. Sipas ekspertit, mundësitë buxhetore të qeverisë janë për të pasur një program më të madh mbështetës.

Më tej, Xhepa theksoi se ndihma ekonomike është e pamjaftueshme, ndaj qeveria duhet të rishikojë programin social.

Xhepa: Gjithë ndihma ekonomike në Shqipëri llogaritet sa 20% e nivelit minimal të varfërisë. Këto lloj programesh duhet të ishin indeksuar me kohë. Kushtet e përfitimit të ndihmës ekonomike duhet të ishin rishikuar. Lista e familjeve që e përfitojnë nga viti në vit ka rënë. Kjo nuk do të thotë që varfëria ka rënë, përkundrazi varfëria është rritur. Mundësitë buxhetore janë për të pasur një program mbështetës më të madhe. Ne kemi një skemë të programeve sociale shumë të vjetëruar. Ndihma ekonomike është e pamjaftueshme. Agjenda sociale e qeverisë është jashtëzakonisht modeste. Fakti që ndihma është reduktuar nuk do të thotë që është reduktuar varfëria, por kanë ndryshuar kriteret e përfitimit. Shumë familje që kanë nevojë për ndihmë ekonomike nuk përfitojnë dhe kjo lë shumë për të dëshiruar. E gjithë skema duhet reformuar. Rritja e pensioneve është pozitive por 6% nuk është e drejtë. Indeksimi duhet të ishte bërë me një shifër dyshifrore për pensionet më të ulëta dhe pensionet më të larta me një shifër më të ulët. Kemi një problem serioz me pensionet. Ata që kanë dalë në pension me pensione të ulëta vitet e punës së tyre nuk janë më pak të vlefshme se këta që kanë dalë me pensione të larta. Duhet të bëjë një politikë për të rritur në mënyrë më të përshpejtuar pensionet.

Për sa i përket fashave të energjisë te vendosura nga qeveria, të cilat do të hyjnë në fuqi më 1 tetor, për gjithë konsumatorët që do kalojnë 800 kWh në muaj, Xhepa tha se do të jetë një kosto e rëndë për xhepat e qytetarëve.

Xhepa: Do të jetë një kosto dhe një barrë jashtëzakonisht e rëndë për qytetarët. Fasha që do të preket nga rritja e çmimit të energjisë është më e madhe se 4%./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!