Mund të plasë nga momenti në moment, por a janë gati për luftë oligarkët e Putinit?

schedule10:23 - 24 Janar, 2022

schedule 10:23 - 24 Janar, 2022

Nga Kseniya Kirillova “Center for European Policy Analysis

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Në kushtet kur 100.000 trupa ruse dhe pajisjet e tyre, janë pozicionuar në mënyrë kërcënuese rreth kufijve të Ukrainës, vëmendja e gjithë botës është e fokusuar në zhvillimet diplomatike dhe ushtarake. Por për super të pasurit në Rusi, paratë e të cilëve mbrohen dhe shpesh administrohen nga Kremlini, fokusi do të jetë diku tjetër.

Ata do të pyesin:“A do të sjellë kriza e fundit e krijuar nga Putini, një valë të re sanksionesh të rënda financiare nga ana e Perëndimit?”. Përvoja sugjeron entuziazmin e tyre për luftën, dhe shpresën se pasojat e saj nuk do të jenë dhe aq të rënda për ta.

Por vendosja e sanksioneve specifike nga ana e Perëndimit gjatë viteve të kaluara, u dha një goditje të dyfishtë oligarkëve të Putinit.  Së pari, nga sanksionet perëndimore, dhe së dyti

nga Kremlini, i cili më pas përpiqet që t’i anashkalojë sanksionet duke shtetëzuar pasuritë e njerëzve pranë tij.

Ky shtetëzim – i cilësuar ndonjëherë si “spastrim” – ndodh nën pretekste të ndryshme,

duke përfshirë nën mbulesën e “rimëkëmbjes financiare” dhe procedurave të riorganizimit ekonomik. Kjo është ajo që ndodhi në fundin e vitit 2017 me ish-pronarët e “Promsvyahzbank”, një bankë private që u godit rëndë nga kriza financiare e vitit 2008, si dhe nga sanksionet e vendosura nga Perëndimi.

Pronarët e saj, vëllezërit Ananiev, deklaruan se shtetëzimi ishte e motivuar politikisht. Shteti pretendoi se banka ishte angazhuar në një gamë të gjerë aktivitetesh të rënda kriminale dhe të shkeljes së rregullave, që i kishin shkaktuar Rusisë një dëm prej gati 1.5 miliardë dollarësh.

Por siç vunë në dukje analistët financiarë, kundër ish-pronarëve nuk pati asnjëherë ndonjë çështje penale. Një vit më pas, shteti vendosi ta shndërrojë “Promsvyahzbank” tashmë të shtetëzuar, në një huadhënës për sektorin e mbrojtjes.

Banka drejtohet tashmë nga Petr Fradkov, që më herët ka punuar për “VEB”, një huadhënës i palicencuar që përdoret nga Kremlini për punët e tij të errëta. Analistët thanë se banka e re “Promsvyahzbank” u përshtat për t’i ndihmuar huadhënësit e mëdhenj rusë të kishin qasje në tregjet perëndimore të kapitalit, duke shmangur kësisoj sanksionet e vendosura.

Por oligarkët nuk shqetësohen vetëm për bizneset e tyre. Siç e ka vënë në dukje vetë Putin, super të pasurit e Rusisë i mbajnë dhe i shpenzojnë paratë e tyre në Perëndim. Kjo gjë ndodh pjesërisht sepse ata kanë shtëpi në metropolet e mëdha të Perëndimit, dhe sepse familjet e tyre përdorin qendrat tregtare, ato të argëtimit dhe shkollat perëndimore, ndërsa bizneset e tyre mbrohen nga avokatët dhe kontabilistët perëndimorë.

Po ashtu ata varen nga ligjet perëndimore, për t’i mbrojtur asetet që i nënshtrohen sekuestrimit në Rusi. Siç vuri në dukje ish-zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, Alexei Sobchenko:“Për këta njerëz, asgjë nuk është më e keqe sesa shkëputja nga Perëndimi dhe nga përfitime të tilla”.

Prandaj gjasat që ata të bëjnë gjithçka për të shmangur përfshirjen në listën e re të sanksioneve, janë shumë të mëdha. Dhe kjo gjë nuk është aspak befasuese. Rusia e sotme, është ndërtuar mbi aktin e tradhtisë.

Autorët e një artikulli të botuar në gazetën “Novye Izvestiya” në vitin 2019, argumentuan se strukturat e pushtetit rus, dhe e gjithë kultura e jetës së sotme politike janë të ngopura me “helmin e tradhtisë”, dhe se tradhtia është “ashensori më i shpejtë social i elitës ruse”.  Natyrisht, vetë Vladimir Putin është i vetëdijshëm për këtë rrezik. Ai e kupton se shumë njerëz në rrethin e tij, nuk ka gjasa t’i qëndrojnë besnikë, në rast se do të ekzistojë një kërcënim real për pronat dhe paratë e tyre në Perëndim. Këto frikëra zbulohen edhe nga propaganda e televizioneve ruse pranë regjimit.

Për shembull, në marsin e vitit 2018, Ren TV transmetoi një dokumentar me titull “Mjalti, shkopi dhe karota:Ja si agjentët e huaj po rekrutojnë zyrtarët e shtetit”. Materiali 14-minutësh, iu kushtua rrezikimit të sigurisë kombëtare nga rusët me fëmijë apo prona jashtë vendit, gjë që sipas dokumentarit u ka dhënë mundësi shërbimeve të huaja të inteligjencës që t’i rekrutojnë ata si agjentë.

Dokumentari arriti në përfundimin, se është e papranueshme që një zyrtar ose politikan rus

të ketë pasuri në Evropë apo SHBA. Njëkohësisht, propaganduesit rusë paralajmërojnë se autoritetet janë të gatshme të gjejnë dhe eleminojnë tradhtarët në çdo vend të botës.

Ka të ngjarë që disa oligarkë, ta kuptojnë këtë si një kërcënim se ata do të vriten. Dhe në fakt ka disa ngjarje që mund ta nxisin këtë frikë. Për shembull, themeluesi i perandorisë ruse të medias dhe propagandës, Russia Today, u gjet i vdekur në një hotel në Uashington në vitin 2017.

Sipas gazetarëve, vdekja e Mikhail Lesin mund të ketë ardhur nga një atentat nga agjentët e shërbimit sekret rus, të cilët kishin frikë nga bashkëpunimi i tij i mundshëm me FBI-në amerikane. Lesin kishte pasuri të paluajtshme në Kaliforni, dhe gruaja, djali dhe vajza e tij punonin në SHBA.

Por paranoja e Kremlinit nuk kufizohet vetëm tek oligarkët. Ajo reflektohet gjithashtu tek “spastrimet” e vazhdueshme në organet e sigurisë. Për shembull, në prillin e vitit 2019 pati spastrime dhe arrestime në shkallë të gjerë brenda radhëve të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB).

Ky “spastrim” preku edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Siç vunë në dukje gazetarët , ato synonin “rivendosjen e ekuilibrit” midis blloqeve konkurruese të pushtetit. Që nga viti 2015, shumica e arrestimeve dhe ndjekjeve penale kanë synuar guvernatorët rajonalë.

Ato justifikohen zakonisht me akuzat për ryshfet dhe mashtrim. Por shumë rusë dyshojnë se arsyet e vërteta janë dyshimet për tradhti midis drejtuesve rajonalë, si dhe përpjekja e Kremlinit për të frikësuar zyrtarët e tjerë.

Sipas të gjitha gjasave, arrestimi i guvernatorit të rajonit Khabarovsk, Sergei Furgal, në vitin 2020 ishte një shembull tjetër i kësaj tendence. Ndoshta edhe si rezultat i sulmeve parandaluese të Putin, shanset për një grusht shteti në pallat nga ana e zyrtarëve të tjerë, shërbimeve sekrete dhe oligarkëve, kanë qenë jorealiste.

Me gjithë shqetësimin e krijuar nga politika e Putinit, elitat ruse e kuptuan se presidenti aktual ishte barriera e fundit mbrojtëse që i ndan ata nga “zemërimi i popullit”. Sikurse vunë në dukje sociologët rusë dhe ata gjermanë në vitin 2004, termi “oligark” në Rusi  ishte e ngjashëm me një fjalë mallkuese.

Dhe nën sfondin e përkeqësimit të situatës socio-ekonomike dhe pabarazisë në vend, imazhi i të pasurve në sytë e njerëzve të thjeshtë vetëm sa është përkeqësuar. Rusët janë gjithnjë e më të vetëdijshëm se është Vladimir Putin, ai që i mbron interesat e oligarkëve.

Sipas Qendrës së Sondazheve, Levada, 38 për qind e të anketuarve në vitin 2020 mendonin pikërisht kështu, kundrejt vetëm 31 për qind në vitin 2017. Ndërsa kjo shifër është ende larg të qenit një shumicë, një luftë e madhe, mund të ndryshojë llogaritjet e të gjithëve:të njerëzve të thjeshtë, por edhe të padronëve të tyre super të pasur.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!