Do të vinte edhe kjo ditë. Në Turqi, ose të paktën në marrëveshjen për huazimin e Ernest Muçit, nuk ekzistoka një klauzolë e tillë që e pengon të luajë ndaj ekipit që I ka kartonin, ndaj edhe fundjava sjell emocione të forta.
Futbollisti shqiptar do të jetë këtë të diel në orën 18:00 përballë Beshiktashit, i cili e ka dhënë hua për një sezon te Trabzonspori. Do të ketë ky një rast për revansh, për një lloj hakmarrjeje, ndaj drejtuesve dhe trajnerit që nuk besuan tek ai, dhe nuk e mbajtën në skuadër.
Siç shkruan e përditshmja sportive turke, “Fanatik”, Muçi vjen në këtë ndeshje si lojtari më në formë i Trabzonsporit, dhe si shpresa më e madhe për të shënuar gol.
Kjo sepse ai ka 5 rrjeta në tri ndeshje radhazi, duke vendosur rekordet e karrierës në Turqi, dhe nga ana tjetër sepse vendasve do t’u mungojë sulmuesi kryesor, Pol Onuaçu, I cili është I pezulluar.
Onuaçu ka 11 gola në Superligë këtë edicion. Muçi ka qenë tepër i rëndësishëm për skuadrën nga bregu i Detit të Zi, pasi rrjetat e tij kanë siguruar 9 pikë në tri ndeshjet e fundit, duke e lejuar të jetë plotësisht në garë për titullin, me 34 pikë në 15 javë, vetëm dy pikë më pak se kryesuesi dhe kampioni Gallatasaraj. Si për ironi të fatit, Beshiktashi, që do të jetë përballë Trabzonsporit e Muçit këtë të diel, është në vend të pestë me vetëm 25 pikë./abcnews.al

