Lavdërimet i mori që pas golit, por pastaj erdhi shpërblimi tjetër.
Ernest Muçi ishte aq i dalluar në ndeshjen e radhës së Ligës së Europës, saqë agjencia tepër e njohur e statistikave, “Sofascore”, e përzgjodhi në formacionin e javës.
Lojtari ofensiv shqiptar mori notën 8.4, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të konkurrimit të dytë më të madh të klubeve në Evropë, për javën e katërt.
Muçi shënoi gol për Beshiktashin, në ndeshjen e vështirë ndaj Malmos suedeze në Stamboll, madje ishte ai që i dha avantazhin 1-0 ekipit të tij.
Tashmë, ai u ftua në kombëtare nga trajneri Silvinjo, ndërsa ishte lënë jashtë në sfidat e kaluara të Ligës së Kombeve.
Ky ishte një shpërblim i merituar për një talent të vërtetë, i cili ka shënuar gol në tri ndeshjet e fundit për Beshiktashin.
Më herët, ia doli dy herë në Superligën turke, duke rifituar vendin si titullar në skuadrën e shquar stambollie.
Nuk dihet nëse Muçi do të aktivizohet si titullar nga Silvinjo kundër Çekisë e Ukrainës, por gjithsesi, mund të thuhet se ai është njëri nga lojtarët më në formë. /i.m /abcnews.al