Titujt e gazetave nuk i fiton vetëm kur tund rrjetën. Ernest Muçi e ka shënuar golin e fundit në 14 shkurt të këtij viti, pra një muaj më parë, dhe në Turqi ai është bërë lajm edhe për këtë.
E përditshmja “Foto Maç” shkruan për “thatësirën” e golit të yllit njëzetekatërvjeçar, I cili nuk ia del në katër ndeshje radhazi, ndonëse thekson se kontributi I tij mbetet tepër I rëndësishëm.
Goli I fundit ishte në derbin ndaj Fenerbahçes, humbur nga Trabzonspori 2-3 në shtëpi, ndërsa më pas erdhën sfidat Gaziantepsporit, Karagymrykut dhe Kajserisporit në Superligë, si dhe Bashaksehirsporit në Kupën e Turqisë.
Sidoqoftë, Muçi ka qenë tepër i rëndësishëm edhe në këto sfida, të cilat janë fituar që të gjitha, duke mbajtur diferencën prej vetëm tri pikësh pikërisht ndaj Fenerbahçes që është e dyta, si dhe duke u shkëputur nga Beshiktashi i vendit të katërt në 8 pikë largësi.
Ylli kuqezi shërbeu dy asistë në sfidën e Kupës, fituar 4-2 kundër Bashaksehirit, po ashtu krijoi një nga golat ndaj Karagymrykut.
Në sfidën e fundit të kampionatit turk, fituar 3-1 në stadiumin e Kajserisporit, Muçi ishte aktiv dhe harkimi I tij në zonë në 51’ bëri që Trabzonspori të fitonte një penallti për avantazhin 2-0.
Siç thotë trajneri I tij, Fatih Teke, futbollisti I Shqipërisë është një profesionist I nivelit të lartë, në stërvitje dhe në fushën e lojës, dhe i mbetet vetëm të bëhet më agresiv në lojë për të luajtur në skuadrat më të mëdha të Europës.
Gjithsesi, edhe kështu siç është, Muçi ka 13 gola e 8 asistë në 33 ndeshje këtë sezon në Turqi, nga të cilët 10 rrjeta e 4 asistë në Superligë./abcnews.al


