Muça kapiten i vërtetë: Karabeci e ngre titullin, Tirana ka rival vetëm COVID-19

schedule18:37 - 30 Prill, 2020

schedule 18:37 - 30 Prill, 2020

Gentian Muça u kthye këtë sezon dhe tashmë është një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Tiranës. Qendërmbrojtësi ka rimarrë shiritin e kapitenit, që ia kishte lënë Erando Karabecit, i cili kohët e fundit nuk ka qenë zgjedhje e parë për stafin teknik.

Në një lidhje direkte me emisionin “Studio Sprint”, të moderatorit Gerti Çarçani, Muça ka prekur tema të ndryshme. Fillimisht foli për situatën aktuale: “Veçse një moment ndryshe, ka qenë e vështirë. Jemi munduar të marrim udhëzimet e duhura nga stafi teknik, në mënyrë që të jemi pranë formës kur të kthehemi. Normalisht është e pamundur të jemi në maksimumin e formës”.

“Ishte një moment i mirë për ne, por besoj se do jemi aty ku e lamë, edhe pse thonë që ishte fatale ndërprerja. Do jemi udhëheqësit e këtij kampionati”, shtoi Muça, i pyetur nëse i ka penalizuar kjo ndërprerje e kampionatit.

“Nuk besoj se na rrezikon. Normalisht nuk do i nënvlerësojmë skuadrat me të cilat do përballemi. Duhet vazhdimësi, edhe për Europën. Kundërshtari i Tiranës, siç e thatë edhe ju, është COVID-19. Rivalët janë dorëzuar”.

“Jemi në kontakt me FSHF. Në momentin e parë që do na thonë, ne do të jemi gati. I gjithë ekipi është në Tiranë dhe të gjithë do të dalim në stërvitje. Titulli në tavolinë? E duam titullin në fushë. Kur të vijë momenti nuk do të jetë si më parë, me mungesën e tifozëve. Një gëzim i tillë meriton edhe përkrahjen e atyre njerëzve që kanë vite po e presin. Nëse vendoset në tavolinë, do e marrim”.

“Ngritja e trofeut? Me thënë të drejtën, Karabeci është kapiteni ‘de juro’. I takon atij ta ngrejë titullin, pastaj ne të tjerët. Kemi edhe Kupën në lojë”, shtoi Muça, i cili po agjëron gjatë këtij muaji të Ramazanit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!