Muaji i kaluar është regjistruar si “shkurti më i nxehtë” deri më tani sipas matjeve të bëra me sistemin satelitor “Copernicus” të Bashkimit Evropian (BE). Sipas njoftimit të “Copernicus”, temperatura mesatare e ajrit sipërfaqësor gjatë muajit të kaluar është matur si 13,54 gradë Celsius.
Kjo temperaturë ishte 0,81 gradë mbi mesataren e periudhës 1991-2020 për muajin shkurt si dhe 0,12 gradë mbi shkurtin e mëparshëm më të nxehtë të regjistruar në vitin 2016.
Më tej thuhet se 9 muajt e fundit kanë qenë muajt më të nxehtë të regjistruar radhazi dhe se temperatura mesatare globale në 12 muajt e fundit (mars 2023 – shkurt 2024) është matur 0,68 gradë Celsius mbi mesataren e periudhës 1991-2020.
Dimri i këtij viti në Evropë ishte 1,44 gradë mbi mesataren e viteve 1991-2020 dhe u regjistrua si dimri i dytë më i ngrohtë në rekord pas dimrit në periudhën 2019-2020.
Drejtori i “Copernicus”, Carlo Buontempo tha se shkurti ishte ndër temperaturat rekord të regjistruara muajt e fundit dhe paralajmëroi se temperaturat rekord do të vazhdojnë të përjetohen në mbarë botën nëse ngrohja globale nuk mund të parandalohet.
Temperatura e sipërfaqes së detit arriti “nivel jashtëzakonisht të lartë”
Në Evropë, temperaturat në shkurt ishin 3,3 gradë Celsius mbi mesataren e periudhës 1991-2020 ndërsa në Evropën Qendrore dhe Lindore u shënuan temperatura “shumë mbi mesataren”.
Temperaturat ishin mbi mesataren në Siberinë Veriore, pjesën qendrore dhe veriperëndimore të Amerikës Veriore, në pjesën më të madhe të Amerikës Jugore, e gjithë Afrika dhe Australia Perëndimore.
Ashtu si temperaturat e ajrit sipërfaqësor në mbarë botën edhe temperaturat e sipërfaqes së detit, kanë arritur “nivele jashtëzakonisht të larta”.
Temperatura mesatare e sipërfaqes së detit e matur arriti në 21,06 gradë Celsius në shkurt. Kjo ishte temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë për cilindo qoftë muaj. Në rekordin e mëparshëm, të regjistruar në gusht 2023, temperatura e sipërfaqes së detit ishte matur në 20,98 gradë.